Lidhje

Kosovë: Dekorohet James Rubin


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dekoroi ish ndihmës sekretarin amerikan të shtetit James Rubin për rolin e tij në zgjidhjen e çështjes së Kosovës

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dekoroi sot ish-ndihmës sekretarin amerikan të shtetit James Rubin me Medaljen Presidenciale të Meritave, “në nderim për kontributin, veprimtarinë dhe angazhimin në afirmimin e çështjes së Kosovës”.

Ajo e priti sot në Prishtinë zotin Rubin, të cilin e falënderoi për “angazhimin dhe ndihmesën e tij të jashtëzakonshme për Kosovën gjatë periudhës së luftës që ndihmoi në vendosjen e paqes dhe lirisë dhe të zhvillimit të vendit për të gjithë qytetarët e tij, si dhe pas luftës në ndërtimin e shtetit të Kosovës dhe konsolidimin ndërkombëtar të tij”.

Presidentja Jahjaga tha se “ndihma e Shteteve të Bashkuara për Kosovën është jetike dhe mbështetja për proceset demokratike jo vetëm në Kosovë por edhe për gjithë rajonin e Evropës Juglindore është e nevojshme, sepse garanton paqen dhe stabilitetin”.

Ish-ndihmës sekretari i shtetit, James Rubin, i cili shërbeu në Departamentin e Shtetit gjatë administratës së presidentit Bill Clinton, tha se Kosova ka shënuar një përparim të madh ndër vite dhe ajo po tregohet si një rrëfim i suksesit të përbashkët.

Zoti Rubin po qëndron në Kosovë për të marrë pjesë në një seminar ndërkombëtar të organizuar nga Ministria e Jashtme e Kosovës që mbahet të premten ne Prishtinë më temën “Ndërhyrja humanitare dhe shtetndërtimi, Kosova dhe më gjerë”.
XS
SM
MD
LG