Lidhje

Kosova mori vaksinat e para kundër COVID-19


Të dielën në mbrëmje Kosova mori dozat e para të vaksinës kundër COVID-19, nëpërmjet programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Në një ceremoni të posaçme në aeroportin e Prishtinës, autoritetet vendase e ndërkombëtare morën pjesë në pranimin e 24 mijë dozave të vaksinës së prodhuar nga kompania AstraZeneca, nga gjithsej 100 mijë e 800 doza që janë premtuar për Kosovën në kuadër të programit COVAX. Të tjerat Kosova duhet t’i blejë vet.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky është një kontingjent i vogël por që ngjall shpresë të madhe për fillimin e shpëtimit të jetëve të njerëzve, sidomos të personelit shëndetësor dhe grupeve të popullsisë në rrezik.

“Secila jeta në secilin vend të botës është e çmuar dhe e barasvlershme, prandaj më shumë se kurrë bota ka nevojë për solidaritet në përballje me këtë armik të përbashkët për gjithë njerëzimin. Vendi ynë është i vogël dhe i varfër, andaj ka nevojë edhe për mbështetje të madhe dhe solidaritet nga të gjithë e sidomos nga miqtë tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, të cilët edhe janë donatorët të aleancës Gavi-Covax”, tha kryeministri Kurti.

Ai tha se vaksinimi duhet të fillojë menjëherë edhe pa asnjë vonesë.

“Kemi 87 mijë të infektuar dhe 1 mijë e 840 të vdekur. Në dy javët e fundit kemi mesatarisht dhjetë vdekje në ditë dhe një trend në rritje. Kemi humbur 16 mjekë e 8 infermierë e për një vend të vogël shifra të tilla ngjajnë në kohe lufte, prandaj edhe masat tona duhet të jenë të shpejta e të drejta që duhet ta ulin numrin e infektimeve të reja dhe të shmangim vdekjet si pasojë e COVID-19”, theksoi ai.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se me arritjen e vaksinave fillon një faze e re e luftës kundër COVID-19.

“Do të fillojmë menjëherë me dozat e para duke filluar aty ku është beteja më e madhe dhe më e vështirë, pra në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Por, vend për çlirim dhe relaksim nuk ka. Edhe pse vaksinimi po fillon nuk do të thotë se kësaj pandemie po i vjen fundi”, tha ai.

Ushtruesi i Detyrës së Shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Riccardo Serri, tha se “pavarësisht vështirësive, ne mund të themi sot që ndoshta është dita që shënon fillimin e fundit të COVID-it në Kosovë”.

Sipas një plani të ministrisë së Shëndetësisë faza e parë e vaksinimit do të përfshijë grupet e popullatës që përballen me rrezik të lartë të infektimit siç janë punëtorët shëndetësorë, të moshuarit dhe të ata me sëmundje të rënda.

Qeveria e re e kryeministrit Albin Kurti, që mori detyrën ditë më parë e ka shpallur përparësi luftën kundër pandemisë, ndërsa është zotuar për vaksinimin e 60 për qind të popullsisë deri në fund të vitit.

Kosova është vendi i vetëm në Evropën juglindore që nuk ka pasur asnjë vaksinë dhe sasinë e parë të tyre po e siguron në një periudhë përballjeje me shtim të numrit të viktimave dhe atyre që po preken nga koronavirusi.

Të dielën, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike konfirmoi se 10 veta kanë humbur jetën gjatë 24 orëve të fundit nga pasojat e infektimit me COVID-19 ndërsa janë shënuar 914 raste të reja të të prekurve nga kjo sëmundje.

Rastet e fundit e çuan në afër 88 mijë numrin e përgjithshëm të të prekurve dhe ne 1 mijë e 840 numrin e atyre që kanë humbur jetën nga pasojat e koronavirusit.

Gjatë 24 orëve të fundit, sipas institutit janë shpallur të shëruar 604 veta duke e çuar në më shumë se 72 mijë raste numrin e përgjithshëm të të shëruarve. Aktualisht afër 14 mijë llogariten si raste aktive.

Kosova vazhdon të mbajë masa të lehta kufizuese për frenimin e Covid-19 ndërsa ekonomia e saj po përballet me vështirësi nga pasojat e mbylljeve të here pas hershme gjatë vitit të kaluar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG