Lidhje

Kosovë, komuniteti – themel i luftës kundër ekstremizmit


Përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë thonë se parandalimi i ekstremizmit dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm do të vazhdojë të jetë sfidë për shtetin dhe shoqërinë, ndërsa bënë thirrje për një qasje gjithëpërfshirëse për të luftuar këto dukuri. Këto komente u bënë gjatë një konference të organizuar nga Qendra e Kosovës për studime të sigurisë me temën “Angazhimi i Komunitetit kundër ekstremizmit të dhunshëm: rruga përpara”. Në një raport të kësaj qendre thuhet se ka mungesë të informimit për qytetarët e Kosovës rreth rrezikut nga ekstremizmi.

Zëvendësdrejtoresha e Misionit të USAID në Kosovë, Miranda Jolicoeur, tha se ambasada amerikane vazhdon të përkrahë fuqishëm qeverinë e Kosovës për të parandaluar ekstremizmin e dhunshëm.

“Përfshirja e juaj është shumë e rëndësishme sepse ju jeni ata që keni mundësi të ngritni rezistencë brenda komunitetit tuaj. Kjo nënkupton ndërtimin e të menduarit kritik, edukimit medial te të rinjtë në mënyrë që ata të kuptojnë mesazhet që marrin dhe të dinë të marrin vendimet e duhura mbi to. Do të thotë që komunitetet të ofrojnë alternativa kuptimplota për të rinjtë, dhe aso lloj mundësish që ndihmojnë të luftohet ndjenja e të qenit të pashpresë dhe gatishmërisë për rekrutim”, tha zonja Jolicoeur.

Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri Bajgora tha se rritja e ekstremizmit fetar në vend, nuk ishte çështje ditësh por e viteve të tëra. Ai thotë se duhet një kohë e gjatë dhe bashkërendim ndërmjet shoqërisë në Kosovë për, siç tha, shërimin e plagëve nga ekstremizmi.

“Fatkeqësisht ka qenë ndikimi edhe i disa vendeve fqinje të Kosovës, ku kanë hyrë e kanë dalë teologë dhe imamë të ndryshëm që nuk janë pjesë as bashkësive vendore nëpër vende që jetojnë, por kanë qenë njerëz sigurisht me qëllime të caktuara që të bëjnë pastrimin e trurit të një pjese të popullatës. Andaj neve na pret një punë jashtëzakonisht e madhe e përbashkët në mënyrë që të identifikojmë dhe të shërojmë plagët nga ajo katrahurë që neve na ka goditur”, tha krye imami Bajgora.

Drejtori i Qendrës së Kosovës për studime të sigurisë, Burim Ramadani, bëri thirrje që qytetarët e Kosovës të kthehen nga luftërat e huaja dhe të ri integrohen në shoqëri, një proces ky që sipas tij kërkon angazhim më të madh.

“Numri i qytetarëve të Kosovës që edhe më tutje janë në zonat e luftës dhe me theks të veçantë të grave dhe fëmijëve është shqetësues, dhe duhet të jetë shqetësues për institucionet e Kosovës, edhe për ne në jetën e shoqërisë civile, sepse ata dhe ato duhet të kthehen në Kosovë dhe ne duhet me të gjitha dimensionet e mundshme të jemi pranë tyre. Ata dhe ato duhet të kthehen sa më shpejtë, por shteti i Kosovës dhe shoqëria e Kosovës duhet të kalojë në atë që edhe më tutje nuk e kemi arritur e që është deradikalizimi, riintegrimi ose risocializmi i njerëzve të cilën kanë qenë pre e kësaj ideologjie”, tha zoti Ramadani.

Kosova është përballur me dukurinë e përfshirjes së qytetarëve të saj në luftërat e huaja që nga fillimi i konfliktit në Siri. Që atëherë rreth 317 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme dhe rreth 60 veta kanë humbur jetën. Rreth 120 syresh janë thyer prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur. Besohet se edhe më tej atje ndodhen rreth 140 persona, nga të cilët 75 luftëtarë dhe të tjerët gra e fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG