Lidhje

Kosovë: Aksion për dhurimin vullnetar të gjakut


Veprimtaritë me moton “Dhuro gjak edhe ti” janë pjesë e përpjekjeve për të shtuar dhurimin e gjakut

Në Kosovë, me veprimtari të ndryshme është duke u shënuar java e dhurimit vullnetar të gjakut. Veprimtaritë më moton “Dhuro gjak edhe ti”, janë duke u mbajtur nëpër të gjitha qendrat e mëdha të Kosovës.

Zyrtarë të qendrës së transfuzionit të gjakut thonë se sivjet interesimi i qytetarëve për të dhënë gjak është më i madh, por shqetësim i vazhdueshëm i tyre mbetet numri i vogël i personave që dhurojnë gjak, përgjatë një viti, që sillet në rreth një për qind të popullatës së Kosovës.

Fadil Mahmuti, menaxher për informim në qendrën kombëtare të transfuzionit të gjakut thotë në një bisedë për Zërin e Amerikës se gjatë këtyre ditëve është regjistruar një shtim i gatishmërisë së të qytetarëve për të dhuruar gjak.

Shikuar nga numri i personave të cilët kanë dhuruar gjak, mund të them se janë aksione të suksesshme këto edhe pse kërkesat i kemi jashtëzakonisht të mëdha për gjak. Neve vetëm për t’i mbuluar nevojat e Klinikës Universitare të Kosovës brenda 24 orëve na nevojiten mbi 150 doza gjaku. Kemi qendrën emergjente, ku vazhdimisht vijnë persona me fatkeqësi në komunikacion dhe fatkeqësi tjera të shpeshta me gjakderdhje të mëdha, e siç e dini tek gjakderdhjet, gjaku në ato momente është i pazëvendësueshëm”, tha ai.



Zoti Mahmuti thotë se qëllimi I këtyre aktiviteteve është edhe ndryshimi I kategorive të dhuruesve të gjakut, nga ata familjarë në ata vullnetarë…

Të zvogëlojmë deri në minimum numrin e dhënësve familjarë të gjakut dhe ta rrisim numrin e të dhënësve vullnetar dhe deri diku kemi arrit. Tash e kemi më tepër se 60 për qind dhurues të gjakut në Kosovë që janë vullnetarë dhe një numër rreth 40 për qind janë dhurues familjarë”, tha zoti Mahmuti.

Dhurimi vullnetar i gjakut organizohet çdo vjet në Kosovë, dhe sipas zyrtarëve të qendrës së transfuzionit të gjakut, numri i qytetarëve që iu përgjigjen kërkesës është duke u shtuar çdo vit. Ata thonë se me gjithë kërkesat e mëdha për gjak, në Kosovës deri më tash nuk ka pësuar askush nga mungesa e tij.
XS
SM
MD
LG