Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të enjten në orën 14 do të rikthehet për t’u intervistuar në Prokurorinë e Posaçme në Hagë, që trajton pretendimet për krime të luftës dhe të pas luftës në Kosovë. As pas përfundimit të ditës së tretë të intervistimit që sërish zgjati rreth 6 orë, presidenti Thaçi nuk bëri ndonjë koment.
Prokuroria e Posaçme më 24 qershor publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj tij dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Gjykata e Posaçme për Kosovën e njohur me emrin Dhomat e Specializuara u themelua më 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës por me personel ndërkombëtar.
Pretendimet për krime lufte kundër pjesëtarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dolën në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.
Të hënën para se të fillonte intervistimi, presidenti Thaçi, i cili i ka mohuar akuzat, tha se është i gatshëm të përballet me atë, që ai e quajti sfidë të re, ndërsa nënvizoi se askush nuk mund ta rishkruajë historinë Kosovës.
Akuzat e Prokurorisë së Posaçme i janë dorëzuar një gjykatësi të procedurës paraprake i cili duhet të vendosë për konfirmimin apo hedhjen poshtë të tyre.
Publikimi i akuzave muajin e kaluar nxiti reagime në shkallë të gjerë dhe kritika ndaj prokurorisë veprimi i së cilës u cilësua nga vëzhgues në Kosovë si politikisht i motivuar.
Facebook Forum