Lidhje

Konfirmohet akuza ndaj një serbi për krime lufte


EULEX-i vërtetoi aktakuzën kundër Aleksandër Bulatoviçit, i akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e ligjit në Kosovë, bëri të ditur se është vërtetuar akuza për krime lufte ndaj një pjesëtari të komunitetit serb.

Në një njoftim për opinion të këtij misioni thuhet se “një gjyqtar i EULEX-it e vërtetoi aktakuzën e ngritur kundër Aleksandër Bulatoviçit, i akuzuar për veprën penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile. Po ashtu, gjyqtari i shpalli të pranueshme të gjitha dëshmitë e mbledhura gjatë hetimeve”.

Ai akuzohet për “pjesëmarrje në një grup për të cilin pohohet se e ka keqtrajtuar një person civil, në vitin 1999, i cili më pas është gjetur i vrarë”.

Sipas akuzës, ai bashkë me dy të tjerë më 8 prill të vitit 1999 kanë keqtrajtuar Xheladin Idrizin, i cili është gjetur i vrarë në Fushë Kosovë, afër Prishtinës.

I akuzuari është arrestuar në muajin gushtë të këtij vitit në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës deh Serbisë, në Merdarë, në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga autoritetet e EULEX-it në janar të vitit 2009.
XS
SM
MD
LG