Lidhje

Akuzë për krime lufte kundër një ish polici serb në Kosovë


Prokuroria e Posaçme e Kosovës, ngriti të enjten aktakuzë kundër një ish pjesëtari të policisë serbe për veprën “krimet e luftës kundër popullsisë civile”.

Sipas aktakuzës “i pandehuri G.S. si pjesëtar i forcës policore rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë, në muajin prill të vitit 1999 gjatë luftës në Kosovë, në kundërshtim me rregullat e të Drejtës Ndërkombëtare Humanitare, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik të forcave ushtarake, paramilitare dhe policore serbe, kundër popullatës civile shqiptare në fshatrat Sllovi dhe Tërbovcë të komunës së Lipjanit, në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të këtij njësiti, ka marr pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare, në kryerjen e vrasjeve dhe veprimeve të tjera të kundërligjshme”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

I akuzuari Goran Stanishiç është arrestuar në korrik të vitit të kaluar në Jarinjë, vendkalim kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në veri.

Mbi dhjetë mijë veta u vranë gjatë luftës në Kosovë që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe. Edhe gati 21 vjet pas përfundimit të luftës, nuk dihet asgjë për fatin e mbi një mijë e 600 personave që llogariten të zhdukur.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG