Lidhje

Kosovë: Dy të dënuar për krime lufte


Një gjykatë në Prishtinë dënoi të martën dy persona, një serb dhe një shqiptar me mbi 21 vjet heqje lirie, për krime të kryera gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë.

Zllatan Kërstiç, u dënua me 14 vjet e 6 muaj heqje lirie, ndërkaq Destan Shabani është dënuar me 7 vjet heqje lirie, për krime lufte kundër popullatës civile.

Sipas aktakuzës, Zllatan Kërstiç me 26 mars 1999, në fshatin Nerodime e Epërme, të komunës së Ferizajt, "kishte marrë pjesë drejtpërdrejtë në sulm kundër popullatës civile shqiptare, më saktë në dëbimin e 15 anëtarëve të një familjeje dhe marrjen peng të 4 personave që nuk ishin pjesë aktive e luftës".

“Kërstiç ka marrë pjesë nё maltretime, torturime, gjymtime dhe nё vrasjen me armё zjarri tё viktimave, madje duke i hedhur skaj rrugës kufomat e viktimave me qëllim tё fshehjes sё krimit”, thuhet në aktakuzë.

Ndërsa Destan Shabani u dënua nën akzuën se si pjesë e forcave policore serbe, me 1 prill të vitit 1999, në cilësinë e inspektorit policor, ka urdhëruar që trupat e pajetë të pesë personave të vrarë gjatë luftës "të varrosen pa dinjitet dhe në kundërshtim me rregullat e luftës të përcaktuara me të drejtën humanitare ndërkombëtare".

“Ai po ashtu kishte urdhëruar një person me emrin Maksut që me ekskavator të hapte një gropë me qëllim që në të hidheshin trupat”, thuhet në aktakuzë.

Mbi 10 mijë veta u vranë dhe rreth pesë mijë u zhdukën, ndërsa forcat serbe dëbuan mbi 800 mijë shqiptarë nga Kosova gjatë luftës gati dyvjeçare, që mori fund 22 vjet më parë më parë, me hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë.

Edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e mbi 1 mijë e 600 personave të zhdukur gjatë luftës, pjesa më e madhe e të cilëve të përkatësisë kombëtare shqiptare.

Sipas të dhënave nga Fondi për të Drejtën Humanitare, deri tani 67 veta janë dënuar me vendim të prerë për krime lufte në Kosovë nga Gjykata për krime lufte në Hapësirat e ish Jugosllavisë dhe gjykatat në Kosovë dhe Serbi.

Prej tyre 39 janë shqiptarë, 26 serbë dhe 2 pjesëtarë të komunitetit rom.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG