Lidhje

Mungesa e grave në proceset me peshë politike në Kosovë


Kosovo
Kosovo

Gratë deputete të parlamentit të Kosovës, kërkuan të martën përfshirje më të madhe të tyre në bisedimet me Serbinë, ndërsa kritikuan faktin se delegacioni shtetëror për këto bisedime ka në përbërjen e tij vetëm burra.

Këto komente u bënë në një debat të organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit, me temën “Gratë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Vjosa Osmani – Sadriu nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se përfshirja e grave në procese të arritjes së paqes ka treguar sukses në vende të ndryshme, derisa lënia anash e tyre ka dëshmuar dështim.

"Fatkeqësisht delegacioni shtetëror për bisedimet në Bruksel është i përbërë tërësisht nga burrat, përkundër faktit që unë jam e bindur se secila parti politike që është në atë ekip negociator, ka gra që janë po aq, apo edhe më shumë të përgatitura sesa burrat që i kanë dërguar si përfaqësues”, tha ajo.

Sipas saj, bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë janë të bllokuara, jo për shkak të tarifave ndaj mallrave serbe, por për shkak të gabimeve të së kaluarës.

Serbia ka shkelur përafërsisht 32 nga 33 marrëveshjet e arritura, përderisa për Kosovën është e kundërta. Kosova ka zbatuar 32 nga 33 marrëveshjet e arritura. Tani, me të drejtë është një lloj bllokade, në qoftë se mund ta quaj si të tillë, në këtë proces, e cila po i mveshet vetëm këtij vendimi për tarifën. Unë absolutisht nuk mendoj se tarifa është e vetmja arsye pse sot nuk po ndodhë asgjë në Bruksel. Arsyet pse nuk ka dialog në mes të palëve janë pikërisht gabimet e së kaluarës në këtë proces gjashtë – shtatë vjeçar”, tha zonja Osmani - Sadriu.

Blerta Deliu – Kodra, nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se gratë nuk janë të përfaqësuara si duhet as në nivelin lokal e as në atë qendror.

Fuqizimi i grave në partitë politike prej nivelit lokal deri në atë qendror do ta fuqizonte gruan që të jetë pjesë e bisedimeve dhe negociatave. Por, nga 21 ministri në Kosovë i kemi vetëm dy gra dhe nga mbi 70 zëvendës ministra që janë aktualisht në qeveri, janë vetëm pesë gra. Kjo flet qartë se ku është gruaja politikane në Kosovë në fazën e negociatave dhe në proceset e rëndësishme jetike të paqes, jo vetëm në Ballkan por edhe më gjerë”, tha ajo.

Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se çështjet me kaq rëndësi si bisedimet me Serbinë, u takojnë të gjithëve.

Ne gratë nuk guxojmë që të qëndrojmë neutrale karshi situatës politike, nuk guxojmë që të lejojmë të na thuhet; ju gratë merruni me çështjet e barazisë gjinore e ne burrat merremi me këtë temë. Jo, na përket të gjithëve që ta mbrojmë vendin sepse është shumë e qartë që vendi po kalon në fazë jashtëzakonisht të rrezikshme. Ajo çfarë do të duhej në fakt të ndodhte, është bashkim forcash karshi Serbisë. Ne mund të kemi dallime të pafundme në mes subjekteve politike sa i përket aspektit programor ideologjik, mirëpo karshi Serbisë duhet ta kemi një qëndrim të njëjtë, tha zonja Haxhiu.

Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Per Strand Sjaastad, tha se shpreson që palët sa më shpejt do t’u hapin rrugë bisedimeve, ndërsa theksoi se përmbyllja e tyre do ta përcaktojë të ardhmen e Kosovës.

Nuk më takon mua apo bashkësisë ndërkombëtare t’i tregojë Kosovës se çfarë duhet të zgjedh, kjo është diçka që duhet ta vendosni vet. Sidoqoftë duhet pasur parasysh se të gjitha opsionet e kanë një çmim. Për të arritur marrëveshje me Serbinë, Kosova duhet të bëjë kompromis të vështirë, ndërsa mos arritja e marrëveshjes, nënkupton humbjen e mundësive të mira për ta integruar Kosovën në bashkësinë ndërkombëtare dhe ekonominë ndërkombëtare”, tha ai.

Procesi i bisedimeve ndërmjet Kosovës e Serbisë vazhdon të jetë i pezulluar për shkak se Beogradi kushtëzon vazhdimin e tyre me heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe që qeveria e Kosovës i vendosi në nëntor të vitit të kaluar.

Disa vende të Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kërkojnë pezullimin e tarifave në mënyrë që t’i hapet rrugë bisedimeve dhe arritjes së një marrëveshjeje, që shihet vështirë e arritshme për shkak të qëndrimeve tërësisht të kundërta të palëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG