Lidhje

Gjykata Kushtetuese e shpall të pavlefshëm ligjin për pagat në Kosovë


Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e shpalli të martën të pavlefshëm ligjin për pagat, që ishte miratuar në shkurt të vitit 2019.

Në vendimin e gjykatës thuhet se ligji nuk është në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, "ligji i kontestuar nuk i kishte harmonizuar pagat në nivel të të gjithë sektorëve".

Ligji parashihet që pagat të përcaktohen në bazë të koeficienteve nga 1 në dhjetë.

Koeficienti më i lartë ishte 10, më të cilin do të paguhen presidenti i Republikës, i pasuar nga niveli i 9-të, ku bëjnë pjesë kryetari i parlamentit, kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e kështu me radhë. Vlera monetare e koeficientit për vitin e parë të zbatimit, do të ishte 239 euro.

Në dhjetor të vitit të kaluar Gjykata pezulloi ligjin pas kërkesës së Avokatit të Popullit, për “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën.

Vendimi i së martës nxiti reagimin e zyrtarëve qeveritar. Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri e quajti "shokues" vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Ky është mohim i të drejtës në përfitim nga puna për mbi 62 mijë shërbyes civilë. Policët, punëtorët shëndetësorë, punëtorët e arsimit, e shumë kategori të tjera meritojnë paga, ashtu siç janë paraparë nga Qeveria Haradinaj”, shkroi ai në llogarinë e tij në facebook, duke nënvizuar se qeveria do të shqyrtojë mundësinë e plotësimit të ligjit dhe të rivotimit të tij.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG