Lidhje

Prokuroria e Posaçme arrestoi Jakup Krasniqin


Arkiv
Arkiv

Prokuroria e Posaçme e Kosovës, me seli në Hagë, arrestoi të mërkurën ish zëdhënësin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, në shtëpinë e tij në Prishtinë, nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Prokuroria e Posaçme arrestoi Jakup Krasniqin
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:13 0:00

Në orët e vona të natës, prokuroria tha se zoti Krasniqi u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, në Hagë.

"Arrestimi u krye nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një aktakuze të konfirmuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe në zbatim të fletarrestimit dhe urdhrit për transferim, të lëshuara nga gjykatësi i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës", thuhet në njoftim por nuk janë dhënë hollësi të tjera.

Për më shumë se tetë orë, Prokuroria e Posaçme e mbështetur nga policia e Kosovës dhe ajo e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, bastisën shtëpinë e Jakup Krasniqit.

Ish zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, ishte marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës së Posaçme në Hagë në korrikun e vitit të kaluar.

Prokuroria nuk dha ende ndonjë hollësi por operacionin e saj që nxiti reagime të shumta në Kosovë.

Qeveria e Kosovës përmes një deklarate tha se Kosova në vazhdimësi ka dhënë̈ shembull të respektimit dhe bashkëpunimit me drejtësinë̈ vendore dhe ndërkombëtare. “Njëjtë̈ do të veprohet edhe kësaj radhe me Dhomat e Specializuara në Hagë, të cilat janë pjesë e sistemit të drejtësisë të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e qeverisë.

Ish kryeministri, Ramush Haradinaj tha se zhvillimet e fundit me bastisjet nga policia e EULEX-it janë shqetësuese dhe nuk janë në përputhje me standardet e shteteve demokratike. Nëpërmjet faqes së tij në Facebook, zoti Haradinaj tha se “defilimet e tilla nga EULEX, veçanërisht në prani të familjarëve janë traumatike dhe paraqesin ushtrim të forcës joproporcionale që nuk respektojnë dinjitetin njerëzor”.

Nisma Socialdemokrate, subjekti që është bashkëthemeluar nga Jakup Krasniqi kritikoi qasjen e Prokurorisë së Posaçme ndaj Jakup Krasniqit.

“Prandaj, sot, konsiderojmë që skenat që po i shohim dhe jemi të bindur se kanë qenë të panevojshme por gjithsesi traumatike për familjen sepse zoti Krasniqi në çdo kohë siç e thash ka qenë i gatshëm t’i përgjigjet drejtësisë ashtu siç është përgjigjur në të kaluarën sa herë që është kërkuar nga ai”, tha Bilall Sherifi nga Nisma Social Demokrate.

Dhomat e Specializuara, emri me të cilin njihet Gjykata e Posaçme për Kosovën, trajtojnë pretendimet për krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Më 24 shtator është kryer arrestimi i parë. Salih Mustafa, ish pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u arrestua nën akuzat për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme. Zoti Mustafa i mohoi këto akuza në një paraqitje para gjykatës më 28 tetor.

Gjykata e Posaçme u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar.

Ideja për themelimin e saj pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.

Mbi 200 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje që nga fillimi i vitit 2019 ndërsa më 24 qershor prokuroria publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG