Lidhje

Kosovë, përplasje në parlament gjatë debatit për personat e zhdukur në kohën e luftës


Skena e debate të ashpra ndërmjet deputetëve të lëvizjes Vetëvendosje dhe të Lidhjes Demokratike, përmbyllën debatin e rreptë të enjten në parlamentin e Kosovës, për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Debati ishte pjesë e interpelancës së kryeministrit Avdullah Hoti e thirrur nga lëvizja Vetëvendosje lidhur me “trajtimin e temës së personave të zhdukur në zotimet e 4 shtatorit në Washington me kushtëzimin me personat e zhvendosur”.

Përplasje në parlamentin e Kosovës për çështjen e të zhdukurve
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:40 0:00

“Me katër shtator ju nënshkruat një listë të zotimeve ku zotoheni se pranoni kushtëzimin e kthimit të pagjeturve me kthimin e të ashtuquajturve të zhvendosur. Sado që ju në fjalën tuaj e përmendët se nuk është kushtëzim, e vërteta është se janë në të njëjtin paragraf dhe janë zotime të përbashkëta edhe nga ana juaj. Së pari çështjen e të pagjeturve e shndërruat nga një obligim i pakushtëzuar i Serbisë në një çështje që duhet marrë vesh e për të cilën edhe mund të bëni pazare. Dhe kjo është gabim, sepse asgjë nuk mund të barazohet me çështjen e të pagjeturve dhe asgjë nuk mund të kushtëzohet me zbardhjen e fatit të tyre”, tha Arbëria Nagavci nga lëvizja Vetëvendosje.

I menjëhershëm ishte reagimi i kryeministrit Avdullah Hoti.

“Më lejoni të them se ky është ndër fjalimet më të liga që unë kam dëgju në këtë Kuvend prej se jam këtu deputet ose ministër përpara juve”, tha kryeministri Hoti.

Ai tha se në dakordimin e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë nuk përmendet kushtëzimi i gjetjes së personave të zhdukur me të zhvendosurit.

“Pra nuk ka asnjë të keqe nga këto zotime mes të cilave asnjëherë nuk figuron fjala dhe shprehja kushtëzim. Unë besoj thellë se të gjitha këto janë në interesin e shtetit të Kosovës dhe ndriçimit të përfundimisht të kësaj çështjeje. Gjithë këto vite me të drejtë, është kërkuar edhe nga familjarët që çështja e të pagjeturve të ndërkombëtarizohet, që bashkësia ndërkombëtare të bëj presion më të madh te Serbia, që të hap burimet e informacionit, që mbetjet mortore të riatdhesohen në vendin e tyre dhe krejt këto veprime tona kanë qenë në funksion të këtyre kërkesave të familjarëve”, tha kryeministri Hoti.

Blerta Deliu Kodra nga Partia Demokratike e Kosovës në opozitë tha se kryeministri Hoti e ka detyrim të mbrojë interesat e vendit dhe të mos negociojë të vërtetën e Kosovës.

“Nëse ndërmjetësuesit e dialogut hapur e mbështesin agjendën serbe për ta rishikuar historinë duke fshehur kështu krimin dhe gjenocidin e vet dhe duke fabrikuar vazhdimisht absurditete për luftën tonë mbrojtëse dhe çlirimtare, atëherë ky kryeministër dhe kjo qeveri e humbë çdo të drejtë morale dhe politike për t’u thirrur në paanshmëri, përkundrazi, kjo qasje e qeverisë e bën pjesëmarrëse në një ndërmarrje të përbashkët për manipulim të së vërtetës e cila është krim në vete”, tha zonja Deliu Kodra.

Kryeministri Hoti kërkoi ndërkaq që çështja e personave të zhdukur të mos përdoret për tema të përballjes politike dhe se sipas tij, dakordimi i nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë pritet të përshpejtojë gjetjen e personave të zhdukur. Ai përmendi edhe gjetjen e një varreze të dyshuar në Kizhevak të Rashkës në Serbinë jugperëndimore, ku besohet ka trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës.

Autoritetet në Kosovë thanë se janë në pritje të caktimit të një date nga institucionet e Beogradit për të filluar gërmimet në atë zonë.

Edhe 21 vjet pas luftës, në Kosovë ende nuk dihet asgjë për fatin e një mijë e 643 personave të zhdukur, pjesa më e madhe e tyre të përkatësisë kombëtare shqiptare.

Varreza më e madhe është zbuluar në vitin 2001, në Batajnicë afër Beogradit, ku në terrenet e stërvitjeve të forcave të posaçme serbe u gjetën trupat e rreth 800 shqiptarëve të Kosovës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG