Lidhje

Reforma, opozita s’jep konsensus pa ndryshuar KQZ


Në Shqipëri partia socialiste deklaroi edhe një herë sot se nuk mund të ketë zgjedhje normale në vend pa reformimin e Komisionit qëndror të Zgjedhjeve dhe për këtë arsye ajo nuk mund të japë konsensus. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar kryetari socialist Edi Rama tha se kërkesat e socialistëve garantojnë trasparencën e procesit dhe se ajo ka bërë disa lëshime duke u shprehur se tani është radha e shumicës. Një ditë më parë kryeministri Sali Berisha doli në mbrojtje të kryetarit të Komisionit qëndror të Zgjedhjeve Arben Ristani dhe ftoi socialistët të bashkëpunojnë për të përmbyllur në kohë reformën

Reforma zgjedhore duket se po futet në një rrugë qorre ndërsa palët ftojnë njëra tjetrën për bashkëpunim duke kërkuar reciprokisht që të jetë kundërshtari ai që të lëshojë pe. Shumica nga ana e saj pretendon se deri më tani ka pranuar të gjithë kërkesat e opozitës, e për pasojë duhet të jetë kjo e fundit që të tërhiqet në shenjë kompromisi. Sot ishte kryetari socialist Edi Rama i cili tha se opozita i ka bërë të gjithë hapat për kompromis: “Tani është koha dhe radha, e palës tjetër që të japë kompromisin e nevojshëm e të mos qëndrojë në pozicionet e vjetra të vitit 2009, si për Kqz si për transprencën e materialeve zgjedhore duke cënuar integritetin e zgjedhjeve dhe duke paralajmëruar një proces të pabesueshëm”.

Arritja e një marrëveshje ka mbetur pezull në cështjet që lidhen me rikompozimin e Komisionit qëndror të zgjedhjeve, procedurat ankimore dhe transparencën e materialeve zgjedhore dhe zbatimin e një projekti pilot për votimin dhe identifikimin elektronik. Për socialistët kompromisi është i pamundur pa reformimin e Komisionit qëndror të zgjedhjeve: "Nuk mund të ketë zgjedhje normale në Shqipëri nëse nuk ka reformim të komisionit qëndor të zgjedhjeve. Riformatimi i saj është një dmosodoshmëri dhe Ps e ka të pamundur të tërhiqet në emër të cfarëdo kompromisi kur është fjala për të riformatuar KQZ dhe për të krirjuar kushte që ky institucion të jetë në shërbim të publikut dhe të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme për të gjitha palët”.

Një ditë më parë kryeministri mori në mbrojtje të hapur kryetarin e KQZ Arben Ristani duke e cilësuar si një personalitet të shquar dhe të ekuilibruar, ndërsa socialistët i referohen kritikave të raportit të vëzhguesve të Odihr lidhur me vendimet e Komsionit për zgjedhjet për kreun e Bashkisë së Tiranës.

Kryetari socialist nënvizoi se kërkesat e tyre lidhen me procesin e jo me interesin partiak duke ju drejtuar kështu në mënyrë indirekte ambasadorit të Osbe-së i cili dje tha se palët duhet të dalin mbi interesat politike vetjake: “Qoftë te qasja ndaj Kqz, qoftë ndaj transparencës, qoftë te ajo e numërimit elektronik, ne mbrojmë interesin kombëtar dhe publik dhe refuzoj të konsideroj si të mirëqenë cdo thirrje që i kërkon partisë socialiste të ngrihet mbi interesin partiak, sepse asnjë nga këto pika nuk është një gjenerim i interesit partiak, por mirëfilli i interesit publik”.

Reforma zgjedhore duhet të mbyllet brenda 12 korrikut, sipas afatit të fundit që ju dha komisionit parlamentar. Një dështim do të ishte me pasoja thuajse direkte mbi fatin e statusit të vendit kandidat që vendi shpreson të marrë këtë vjeshtë pas dy refuzimesh radhazi nga ana e Brukselit.
XS
SM
MD
LG