Lidhje

Krerët amerikanë të diplomacisë dhe mbrojtjes vizitojnë Azinë


Kryeministri japonez Yoshihide Suga (djathtas) përkrah Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken dhe Sekretarit të Mbrojtjes Lloyd Austin

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe shefi i Pentagonit, Lloyd Austin po zhvillojnë takime me homologët japonezë në Tokio për të riafirmuar partneritetin transatlantik përballë një Kine gjithnjë e më ambicioze dhe Koresë së Veriut, gjithnjë e më armiqësore. Turneu i dy zyrtarëve amerikanë në Azi do të përfshijë edhe një vizitë në Seul për takime me aleatët koreano-jugorë.

Shefat e diplomacisë dhe mbrojtjes amerikane e japoneze diskutuan sot ambiciet territoriale të Pekinit, në veçanti dislokimet ushtarake në Detin e Kinës Jugore e Lindore. Administrata e Presidentit Biden po përpiqet të sigurojë aleatët për mbështetjen e Amerikës përballë kërcënimeve rajonale:

"Aleanca jonë është shumë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë. Sot, e them me bindje se kjo aleancë është më e fortë se kurrë”, tha sekretari i shtetit.

Zoti Blinken nënvizoi vlerat e përbashkëta demokratike të dy vendeve aleate, duke nxjerrë në pah kontrastin me disa vende autoritare në Azi:

"Në Birmani, ushtria po përpiqet të përmbysë rezultatin e zgjedhjeve demokratike dhe po shtyp egërsisht protestuesit. Kina përdor shantazhin dhe agresionin për të gërryer autonominë në Hong Kong, për të sabotuar demokracinë në Tajvan dhe për të shtypur të drejtat e njeriut në Xinjiang e Tibet, si dhe për të imponuar pretendimet e saj mbi hapësirën ujore në Detin e Kinës së Jugut në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Ne kemi një vizion të përbashkët për një rajon të lirë e të hapur të Indo-Paqësorit, ku vendet ndjekin rregullat, bashkëpunojnë e bëjnë ç’është e mundur për të zgjidhur në paqe mospajtimet, ndërsa Kina përdor shantazhin e agresionin për t’ia arritur qëllimeve të saj”, tha zoti Blinken.

Në takimet e ardhshme zyrtarët do të riafirmojnë partneritetin tre-palësh mes Shteteve të Bashkuara, Japonisë dhe Koresë së Jugut, një partnere e rëndësishme në përballjen me sfidat e sigurisë që paraqet regjimi i Phenianit.

"Kemi diskutuar një numër temash, përfshirë angazhimin tonë për çmilitarizimin bërthamor të Koresë së Veriut dhe zgjerimin e kapaciteteve të aleancës si dhe reagimin ndaj veprimeve agresive të Kinës, sidomos në Detin e Kinës Lindore e Jugore. Jam i bindur se Japonia ka të njëjtat shqetësime si ne lidhur me veprimet destabilizuese të Pekinit. Siç e kam thënë më parë, Kina është një sfidë në rritje për Departamentin e Mbrojtjes”, tha Sekretari i Mbrojtjes, Flloyd Austin.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin vlerësoi aleancën midis Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë, duke e etiketuar atë si të fortë gjatë bisedimeve me homologun e tij japonez, Nobuo Kishi.

Ai tha se partneriteti i të dy vendeve ishte vendimtar në mbështetjen e një rajoni "të lirë dhe të hapur Indo-Paqësor".

Takimet, zakonisht të njohura si bisedimet “dy-plus-dy” në kryeqytetin japonez me Ministrin e Jashtëm Toshimitsu Motegi dhe Ministrin e Mbrojtjes Nobuo Kishi shënojnë udhëtimin e parë diplomatik për Sekretarin Blinken dhe Sekretarin Austin, si përfaqësues të administratës së re të Presidentit Biden.

Gjatë takimeve, Sekretari Blinken tha se Uashingtoni dhe Tokio besojnë në “demokracinë, të drejtat e njeriut dhe shtetin ligjor”, por tha se këto vlera janë “në rrezik” në rajon, “qoftë në Burma apo në Kinë”, duke përdorur emrin alternativ të Mianmarit për të përmendur puçin në atë vend.

Zoti Motegi tha më vonë se ai dhe homologu i tij amerikan i kundërshtojnë përpjekjet e Kinës për të ndryshuar status quo-në në Detin Lindor dhe Detin e Kinës Jugore, ku ka zgjeruar me agresivitet prezencën ushtarake dhe pretendon të drejta territoriale mbi shumicën e rajonit.

Në një artikull të përbashkët të publikuar të hënën në Uashington Post, Sekretarët Blinken dhe Austin veçuan Kinën si vendin që kërkon “të sfidojë rendin ndërkombëtar” në rajon.

Ata thanë se Shtetet e Bashkuara do të punojnë me aleatët në rajon “për t’i dhënë përgjegjësitë e duhura Kinës kur ajo abuzon me të drejtat e njeriut në Xinjiang dhe Tibet, kur dëmton sistematikisht autonominë në Hong Kong, kur godet demokracinë në Tajvan ose ngre pretendime detare në Detin e Kinës së Jugut, të cilat shkelin ligjin ndërkombëtar”.

Pas konferencave të përbashkëta, Sekretarët Blinken dhe Austin do të nisen për në Seul të mërkurën.

Përzgjedhja e Japonisë dhe Koresë së Jugut për udhëtimin e parë ndërkombëtar pasqyron shqetësimet e sigurisë së Presidentit Joe Biden në Azi, thonë disa vëzhgues.

"Fakti që sekretarët Blinken dhe Austin po bëjnë udhëtimin e tyre të parë jashtë shtetit në Japoni dhe Korenë e Jugut tregon rëndësinë e madhe që Shtetet e Bashkuara u japin këtyre dy aleatëve", thotë Patricia Kim, një analiste e lartë e politikave në Institutin Amerikan të Paqes, të financuar nga qeveria.

"Seuli dhe Tokioja janë partnerë të rëndësishëm për trajtimin kolektiv të sfidave të paraqitura nga Kina dhe avancimin e paqes në Gadishullin Korean", tha zonja Kim.

Marrëdhëniet mes dy ekonomive më të mëdha në botë janë në një pikë të ulët falë pjesërisht një lufte tregtare që nisi ish-Presidenti Donald Trump, si dhe rritjes së tensioneve ushtarake në zonat që Kina i konsideron si në sferën e saj të ndikimit.

Gjatë presidencës së tij pothuajse dymujore, Presidenti Joe Biden ka sinjalizuar se ai nuk po ngutet për të hequr një pjesë të presionit që paraardhësi i tij i vendosi Pekinit. Administrata e tij ka ruajtur tarifat e importit, ka shprehur mbështetje për qeverinë demokratike të Tajvanit dhe ka dënuar abuzimet e pretenduara të të drejtave të njeriut nga Presidenti Xi Jinping në Hong Kong dhe Xinjiang. Rajoni kinez Xinjiang ka qenë qendra e akuzave për punë të detyruar dhe shkelje të tjera të të drejtave të njeriut.

Javën e kaluar, Shtëpia e Bardhë publikoi dokumentin e saj të strategjisë së sigurisë kombëtare që përshkruante Kinën si "konkurrencën e vetme potencialisht të aftë për të kombinuar fuqinë e saj ekonomike, diplomatike, ushtarake dhe teknologjike për të ngritur një sfidë të vazhdueshme ndaj sistemit të qëndrueshëm dhe të hapur ndërkombëtar".

Duke dërguar sekretarët e tij në kryeqytetet e dy vendeve më të afërta partnere të Amerikës, presidenti i ri shpreson të krijojë një ekuilibër shumëpalësh ndaj Kinës në rajon, thonë ekspertët.

"Kina është kërcënimi ynë i vazhdueshëm", u tha gazetarëve Sekretari i Mbrojtjes Austin, një gjeneral në pension, ndërsa udhëtonte për në Azi, sipas një deklarate të Pentagonit. "Qëllimi ynë është të sigurohemi që kemi aftësitë, planet operacionale dhe konceptet për të qenë në gjendje të ofrojmë masa parandaluese të besueshme për Kinën ose këdo tjetër që do të dëshironte t’u kthehej kundër Shteteve të Bashkuara".

Megjithë këto komente, Uashingtoni po sinjalizon se është ende i hapur për dialog me Pekinin.

Sekretari Blinken dhe Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare Jake Sullivan pritet të takohen më vonë gjatë javës me Wang Yi, ministrin e jashtëm të Kinës dhe kryediplomatin Yang Jiechi në Anchorage, të shtetit amerikan Alaska, hera e parë që nga qershori i kaluar që zyrtarë nga dy vendet zhvillojnë bisedime dypalëshe.

Heshtja e Koresë së Veriut

Gjetja e gjuhës së përbashkët për ta detyruar regjimin e Kim Jong Unit të rikthehet përsëri tek dialogu, do të jetë një tjetër përparësi gjatë vizitave të sekretarëve në Tokio dhe Seul.

Presidenti Biden ende nuk ka njoftuar strategjinë e tij ndaj Koresë së Veriut, por është duke u kryer një rishikim i politikave.

Që nga shkurti, administrata e Presidentit Biden është përpjekur të kontaktojë Phenianin përmes disa kanaleve diplomatike, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje, sipas një zyrtari amerikan që foli me agjencinë e lajmeve Reuters.

Heshtja u thye të martën kur Kim Yo Jong, motra me influencë e udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un, lëshoi një deklaratë përpara bisedimeve të Sekretarëve Blinken dhe Austin në Tokio, duke akuzuar administratën e Presidentit Biden si të etur "për të përhapur erën e barutit në tokën tonë nga përtej oqeanit”.

Në televizion shfaqet imazhi i Kim Yo Jong, motrës së udhëheqësit koreanoverior Kim Jong Un
Në televizion shfaqet imazhi i Kim Yo Jong, motrës së udhëheqësit koreanoverior Kim Jong Un


paralajmëroi gjithashtu administratën e re të mos fillojë asnjë provokim, në mënyrë që të mos "humbasë gjumin" gjatë katër viteve të ardhshme.

Leif-Eric Easley, një profesor i asociuar i studimeve ndërkombëtare në Universitetin Ewha Womans në Seul, thotë se Pheniani mund të jetë duke injoruar këto përpjekje për një numër arsyesh, përfshirë përparësinë e çështjeve ekonomike të brendshme ose nga frika e mbajtjes së bisedimeve gjatë pandemisë së COVID-19ës.

"Pheniani mund të jetë duke pritur për të parë se çfarë stimujsh ofrohen pas rishikimit të politikës nga presidenca Biden", shkruajti zoti Easley, në një përgjigje me email për Zërin e Amerikës. "Ose Koreja e Veriut mund të jetë duke planifikuar testin e saj të ardhshëm të armëve, për të përmirësuar aftësitë e saj dhe për të rritur peshën në negociata".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG