Lidhje

Krijohet instituti i hapësirës për kërkime bio-mjekësore


Krijohet instituti i hapësirës për kërkime bio-mjekësore

Agjencia amerikane e hapësirës, Nasa është duke planifikuar një mision në Mars për të matur qëndresën e njeriut jashtë gravitetit të tokës, jashtë atmosferës dhe fushës gjeomagnetike të saj. Jo larg nga Qendra Hapsinore Johnson në Houston të Texasit, tani ndodhet një institut i ri bio-mjekësor, që do të ndihmojë këtë mision të ardhshëm - duke koordinuar kërkimet ndërkombëtare për çështjet e shëndetit që kanë të bëjnë me fluturimin e njeriut në hapësirë.

Që kur fluturimet e njeriut në hapësirë filluan më shumë se 50 vjet më parë, shkencëtarët kanë mësuar shumë për gjëra të tilla si efektet e peshës së rëndesës në kocka dhe muskujt- dhe rrezikun e ekspozimit ndaj rrezatimit në hapësirë.

Misioni kryesor i Institutit Biomjekësor, i vendosur në Universitetin Rajs, është të koordinojë dhe mbështesë projektet shkencore për të ndihmuar programin amerikan të hapësirës.

"Ne shërbejmë si rrjet për grumbullimin e të dhënave nga studime e kërkime të ndryshme biomjekësore për hapësirën, si dhe për vlerësimin dhe vënien e tyre në provë", thotë Jeffrey Sutton, drejtor i institutit biomjekësor.

Senatorja nga Teksasi, Kay Bailey Hutchison vizitoi këtë institut kur u përurua zyrtarisht në muajin mars dhe pa nga afër pajisje mjekësore me ultratinguj që mund jo vetëm të diagnostikojë por edhe të trajtojë gurët në veshka dhe sëmundje të tjera.

Një nga funksionet kryesore të institutit është organizimi i leksioneve dhe konferencave mbi kërkimet mjeksëore, si ky në Shkollën e Mjekësisë Baylor po në Teksas.

Ekspertja e mjekësisë hapsinore Jennifer Law thotë se puna e mjekëve në këtë fushë "fiziologji normale në një mjedis të parregullt.

"Duke studiuar trupin në një mjedis tjetër, në thelb ne shohim se si sistemet e ndryshme të trupit të përshtaten me mikrogravitetin".

Eksperja Law thotë se kërkime të tilla kanë ndihmuar zhvillimin e trajtimeve për njerëzit që vuajnë nga sëmundjet e tilla si osteoporoza.

Por qëllimi afatgjatë i NASA-së për dërgimin e njerëzve me miliona kilometra larg në Mars - në një mision vajtje ardhje që zgjat më shumë se një vit - ngre të gjitha llojet e problemeve shëndetësore, sidomos çështjen e prekjes nga rrezatimi.

Ka gjithashtu shqetësime rreth problemeve psikologjike dhe sociale që mund të rezultojnë nga të paturit e një ekuipazh të ngujuar së bashku në një automjet të vogël për një periudhë të gjatë - dhe që fluturojnë përmes hapësirave ku njerëzit nuk kanë shkuar kurrë më parë.

Jeffrey Sutton, Instituti kombëtar i Biomjekësisë Hapsinore;
"Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është të shtyjmë kufijtë e mjekësisë, dhe të hapësirës .... dhe kjo sigurisht nuk është pa rrezik".

Doktor Sutton thotë se e ardhmja e njerëzimit mund të varet në aftësinë për të udhëtuar në mënyrë të sigurt përtej planetit tonë.


Barnat qetësues mund të kthehen në shqetësues

Statistikat e fundit tregojnë një prirje shqetësuese mjekësore që është duke dalë jashtë kontrollit. Numri i amerikanëve që marrin barna qetësues ose kundër dhimbjeve është në rritje në mënyrë drastike. Barna të tilla kur merren pa masë e pa nevojë shkaktojnë efekte të rënda anësore madje edhe vdekje.

Sipas statistikave të administratës amerikane të barnave në disa rajone të Shteteve të Bashkuara, shitjet e disa barnave me bazë Oxycodone, si Oxycontin, Percocet dhe Percodan, u rritën 16 herë mes viteve 2000 dhe 2010. Në të njëjtën kohë, në rajone të tjera sidomos në pjesën e mesme perëndimore dhe Apalashet, përdorimi i barnave me bazë hydrocodone, si Vicodin, Norco dhe Lortab, është gjithashtu në rritje.

Një shpërthim i tillë konsumi ka çuar në një numër vdekjesh. Statistikat tregojnë se vetëm në vitin 2008, nga mbidoza me barna qetësues me bazë oxycodone vdiqën 15 mijë persona.

Varësia nga barna të tilla ka nxitur shtimin e shitjeve e deri në grabitje të farmacive, ndërkohë që gjithnjë e më shumë njerëz janë në kërkim të mjekëve për të siguruar në mënyrë të padrejtë receta për barna qetësues.

XS
SM
MD
LG