Lidhje

Sulmi në Krime, hetohet mundësia e bashkëpunëtorëve


Autoritetet ruse në Krime po hetojnë nëse nxënësi që qëlloi për vdekje të paktën 20 vetë dhe plagosi mbi 50 të tjerë në një shkollë profesionale në qytetin Kerch në Detin e Zi kishte bashkëpunëtorë në këtë akt.

Sergei Aksionov, udhëheqësi i emëruar nga Kremlini për Krimenë, tha të enjten në një konferencë për shtyp në Moskë se autori i masakrës, Viaçeslav Rosliakov, i cili më pas vrau veten, nuk mund ta ketë kryer aktin i vetëm.

“Synimi është të zbulojmë kush e ka ndihmuar në këtë akt,” tha zoti Aksionov. “E dimë që kur qëlloi ishte i vetëm. Por ky njeri mizor nuk ka si ta ketë organizuar vetë këtë sulm, mendoj unë dhe kolegët e mi”.

Megjithë pohimet e zyrtarit, hetuesit rusë nuk po ndiqnin këtë pistë në hetimet e menjëhershme pas sulmit. Presidenti Vladimir Putin u shpreh se sulmi ishte “rezultat i globalizimit”.

“Në median sociale, në internet, shohim se është krijuar një komunitet i tërë. Çdo gjë e ka zanafillën tek aktet tragjike në shkollat amerikane,” tha presidenti rus në një forum politik në Soçi.

Sipas zotit Putin është krijuar një gjeneratë të rinjsh të paqëndrueshëm, me "heronj të rremë" dhe "që duan të kryejnë akte heroike" në mungesë të gjërave të vërteta.

Të mërkurën 18-vjeçari Vladislav Roslyakov vrau të paktën 20 studentë dhe plagosi më shumë se 40 të tjerë në një shkollë të mesme profesionale në gadishullin e aneksuar nga Moska, përpara se të vriste veten.

Rusia e aneksoi me forcë Krimenë nga Ukraina katër vjet më parë, gjë që u pasua nga sankione ekonomike të Perëndimit. Autoritetet ruse kanë folur shpesh për rrezikun e sulmeve terroriste nga nacionalistë ukrainas dhe tartarë.

Megjithë aktet e rezistencës këto grupe nuk kanë kryer akte të konfirmuara dhune në Krime.

Banorët vendosën lule dhe lodra në një përmendore provizore të krijuar pranë shkollës politeknike ku u krye masakra.

Dhjetëra të plagosur vazhdojnë të mjekohen në Kerch. Të enjten filloi varrimi i viktimave.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG