Lidhje

Kume: KQZ është fryt i politikës


Intervistë me Drejtuesin e Institutit për Zhvillimin e Institucioneve Demokratike dhe Sistemeve Zgjedhore, Kristaq Kume

Zëri i Amerikës: Zoti Kume! Nga përvoja me Institutin për Zhvillimin e Sistemeve Zgjedhore, cili është komenti juaj lidhur me gjendjen aktuale të KQZ-së, me 3 dorëheqjet e anëtarëve nga opozita dhe 3 vendet bosh?

Kristaq Kume: Në KQZ jemi në një situatë, të cilën nuk e parashikon ligji. Pra, ligji nuk parashikonte nëse kishte apo jo mundësi që të vepronte në këtë mënyrë mbi KQZ. Sipas opinionit tim, KQZ-në, i ndërtuar mbi bazën e parimit të përfaqësimit dhe balancimit të plotë politik, Kodi Zgjedhor e konsideron si një institucion, i cili është dhe duhet të zhvillojë aktivitetin e tij si i pavarur, anëtarët e këtij komisioni janë të mandatuar për gjashtë vjet dhe për pasojë të pandikueshëm nga ajo çka mund të ndodhë në aleancat politike.

Kristaq Kume per KQZ
please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:04:53 0:00


Zëri i Amerikës: Deri ku mund të shkojë kjo KQZ me 4 anëtarë në administrimin e zgjedhjeve?

Kristaq Kume: Është e mundshme për të çuar deri në fund administrimin e zgjedhjeve; ky komision mblidhet në mënyrë të vazhdueshme dhe merr vendime që kanë nevojë për 4 vota, por do ta ketë të pamundur për të marrë vendimet me 5 vota. Për pasojë, subjekti i interesuar konkurrues do t’i drejtohet Kolegjit Zgjedhor, i cili do të luajë rolin e KQZ-së. Kjo nuk është normale, pavarësisht se shmang ngërçin, në kuptimin formal të fjalës.

Zëri i Amerikës: Cila është zgjidhja, sipas jush: të plotësoshen tre vendet bosh, apo të diskutohet një rikompozim i KQZ-së, siç kërkon opozita aktuale?

Kristaq Kume: Opozita kërkon që të mos emërojë anëtarë të rinj, por kërkon rikonfigurim të KQZ-së. Ç’kuptohet me rikonfigurim? Në qoftë se kjo do të thotë që të ndryshojë parimin, mbi të cilin është ngritur KQZ - tre nga maxhoranca tre nga opozita dhe kryetari i ardhur aty me një procedura të re - pra një ndërhyrje në Kodin Zgjedhor, kjo ëshë e pamundur për t’u realizuar. Absolutisht nuk mund të bëhet një gjë e tillë.

Zëri i Amerikës: Pra, ju jeni me variantin që të plotësoshen ato tre vende në KQZ dhe të mos ketë një bisedim të gjerë për një rindërtim të plotë, sepse nuk ka kohë apo se nuk mund të bëhet?

Kristaq Kume: Rindërtim ligjor absolutisht nuk mund të bëhet, që të ndryshojë struktura, të ndryshojë formula e emërimit të anëtarëve të KQZsë, jo. Ndryshime emrash? Kërkohet çfarë? Për mendimin tim, kjo konvergjon vetëm tek një: tek kryetarja e KQZ-së, se të tjerët nuk i komandon dot askush.

Zëri i Amerikës: Ju si mendoni, diskutimin për KQZ-në partitë e kanë për anëtarët konkretë, apo e kanë parimisht?

Kristaq Kume: Po e vazhdoj aty. Kryetarja është në atë post si rezultat i zbatimit gërmë për gërmë të asaj që pozita dhe opozita ranë dakord dhe fiksuan në Kodin Zgjedhor. Ligjërisht dhe moralisht ata nuk kanë të drejtë të thonë: paskemi bërë një zgjedhje të tillë apo të atillë, sepse produkti i saj nuk qenkërka ai i pritshmi, por është përsëritja e asaj që ne kemi ndeshur në zgjedhjet e mëparshme.

Zëri i Amerikës: Si mund të investohet në rritjen e besimit të këtij komisioni, siç po shprehen edhe shqiptarët edhe ndërkombëtarët, për të nxjerrë një proces të rregullt?

Kristaq Kume: Për mua, ata duhet të ulen shpejt dhe të plotësojnë vendet vakante të KQZ-së me anëtarë të rinj, që KQZ-ja të jetë vërtët në atë rol, të cilin i kanë ngarkuar dhe e detyron ligji zgjedhor.

Zëri i Amerikës: Zoti Kume, si e parashikoni fundin e këtij procesi zgjedhor, nga 23 maji deri në 23 qershor? A do mbajë Shqipëria zgjedhje të lira dhe të drejta dhe a do të dalë një rezultat i pakundërshtuar?

Kristaq Kume: Është vështirë për të parashikuar se cila do të jetë sjellja e partive politike gjatë kësaj gare zgjedhore. Ne dimë se ç’kërkon ligji, por nuk dimë se ç’duan të bëjnë partitë politike, dhe shpesh e bëjnë jo vetëm duke iu referuar ligjit. Unë jam i sigurtë vetëm për një gjë. Po. Në raportin përfundimtar të OSBE/ ODIHR rekomandimi i parë i tyre do të jetë po njëlloj ai rekomandim që ka qenë në raportin e tyre për zgjedhjet e 2007, 2009 dhe 2011; partitë politike edhe kësaj radhe vunë mbi procesin zgjedhor interesin e tyre sesa interesin e qytetarit.
XS
SM
MD
LG