Lidhje

Shoqata e Gazetarëve për Drejtësi nis nga puna


Kryetarja e shoqatës së sapongritur Kristina Fidhi, thotë se faqja e tyre në internet është mbushur qysh tani me shkrime mbi trafiket.

Një grup gazetarësh të rinj shqiptarë, që raportojnë lajme dhe shkrime hetimore nga kriminaliteti krijuan sot në Tiranë Shoqatën e Gazetarëve për Drejtësi. Shoqata gjeti mbështetjen nga agjencia amerikane për zhvillim ndërkombëtar, USAID, me një seri trajnimesh mbi gazetarinë hetimore dhe atë mbi sistemin gjyqësor.

Kryetarja e shoqatës së sapongritur Kristina Fidhi, thotë se faqja e tyre në internet është mbushur qysh tani me shkrime mbi trafikun e drogave, shkelje, diskriminime dhe denoncime të ndryshme. Ajo thotë se gazetaria e tyre nuk do të jetë sipërfaqësore, dhe se ata nuk duan të jenë një media më shumë në tregun kaotik mediatik shqiptar.

Ambasadori i SHBA në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, nxiti gazetarët shqiptarë që të punojnë me profesionalizëm dhe integritet për të shkruar mbi ngjarje të mirëdokumentuara. “Shtypi shqiptar është vërtet i hapur, por duhet një rrugë e gjatë për të thënë nëse është i pavarur” - tha ai.

“Gazetaria hetimore forcon llogaridhënien dhe qeverisjen e mirë, duke raportuar mbi çështje të interesit publik. Vetëm gazetaria e paanshme mund të godasë korrupsionin, keqpërdorimin e fondeve publike, ose keqmenaxhimin e mekanizmave të kontrollit.
Media e pavarur hetimore ndihmon në informimin e qytetarëve dhe kontrollin qytetar mbi qeverisjen. Shoh me shqetësim që shkrimet e lajmeve nuk ndryshojnë shumë nga komentet editorjale, ndërsa komentet e analistëve janë të mbushura me një gjuhë të panevojshme urrejtjeje. Standartet dhe gjuha kritike me fakte të vërtetuara janë themeli i gazetarisë moderne dhe lirisë së shtypit” - tha ambasadori Arvizu.

Në themelimin e shoqatës së re me gazetarë terreni dhe studentë morën pjesë edhe gazetarë e analistë me përvojë. Lutfi Dervishi, analist i njohur dhe përfaqësues i organizatës Transparency International në Shqipëri vlerësoi faktin që kjo shoqatë angazhohet në gazetarinë hetimore, që është dega më e pazhvilluar e medias vendase. Ai theksoi se gazetarinë hetimore si rregull kudo në botë e bëjnë gazetarët e rinj.

Zoti Dervishi thotë se puna e gazetarëve në Shqipëri nuk është aspak e lehtë, sidomos atyre që angazhohen në gazetarinë hetimore, se gjendja e korrupsionit vlerësohet si kritike dhe shqetësuese, ndërkohë që nuk po bëhen hapa për ta çrrënjosur, por ka vetëm retorikë antikorrupsion në prag të fushatës zgjedhore.

Tashmë që imunitetet e zyratrëve të lartë dhe gjykatësve janë hequr nga parlamenti dhe me një shfrytëzim më të mirë të ligjit për të drejtën e informimit, gazetarët e rinj shqiptarë besojnë se askush nuk mund ta mbrojë më gjatë korrupsionin e vet nga hetimet e prokurorëve dhe të reporterëve, që po denoncojnë përherë e me më shumë kurajo.
XS
SM
MD
LG