Kritiku i njohur i Kremlinit, Alexei Navalny, i cili është në gjendje të rëndë shëndetësore, u dërgua sot në Gjermani për trajtim të mëtejshëm mjekësor.
Navalni u transportua në gjendje kome të induktuar nga qyteti siberian i Omskut me një avion ambulancë dhe u dërgua në spitalin Charite të Berlinit.
Themeluesi i grupit të aktivistëve që organizoi fluturimin, tha se gjendja shëndetësore e Navalny-it ishte "shumë shqetësuese".
44-vjeçari Navalny, kundërshtar i vjetër i presidentit rus Vladimir Putin dhe aktivist i njohur kundër korrupsionit, pësoi krizë të enjten në bordin e një avioni, pasi kishte pirë një filxhan çaj, që përkrahësit e tij besojnë se ishte i helmuar.
Personeli mjekësor në Omsk tha mbrëmë, pasi miratoi nisjen e Navalny-t drejt Berlinit, se tani për tani jeta e tij nuk është në rrezik.
Thirrja e bashkëshortes
Bashkëshortja e zotit Navalny, Yulia, më herët i dërgoi një letër Kremlinit duke i bërë thirrje të drejtpërdrejtë për të ndërhyrë dhe miratuar lejen që burri i saj të transportohej jashtë vendit.
“Është për të ardhur keq që u desh kaq shumë kohë që mjekët të merrnin vendimin. Aeroplani ka qenë duke pritur që në mëngjes. Dokumentet ishin gjithashtu gati që atëherë”, tha të premten zonja Yarmysh që është zëdhënëse e opozitarit Navalny.
Alexander Murakhovsky, mjeku kryesor në spital, tha se zoti Navalny ishte diagnostikuar me një sëmundje metabolike që mund të jetë shkaktuar nga niveli i ulët i sheqerit në gjak.
Ai tha se ishin gjetur gjurmët e një substance kimike industriale në rrobat e zotit Navalny dhe në gishtat e tij por se mjekët nuk besonin se ai ishte helmuar.
Opozitari Navalny ka kritikuar Kremlinin prej më shumë se një dekade, duke ekspozuar ato që ai i quan ryshfete të nivelit të lartë dhe duke mobilizuar turma të rinjsh protestues.
Ai është arrestuar në mënyrë të përsëritur për organizimin e takimeve publike dhe tubimeve dhe është paditur lidhur me hetimet e tij ndaj korrupsionit. Atij iu ndalua kandidimi në zgjedhjet presidenciale të vitit 2018.
Zoti Navalny u sëmur ndërsa po udhëtonte me avion drejt Moskës nga qyteti Tomsk në Siberi. Atje ai ishte takuar me aleatët para zgjedhjeve rajonale të muajit që vjen. Ai u mor me barelë, ndërsa nuk lëvizte, nga aeroplani dhe u dërgua me shpejtësi në spital pasi avioni me të cilin udhëtonte bëri një ndalesë emergjence në qytetin Omsk.
Facebook Forum