Lidhje

Kriza kubane e raketave: Mësime për rastin e Iranit


Fireworks are seen over the Olympic Park during the opening ceremony of the Sochi 2014 Winter Olympics in Russia.
Fireworks are seen over the Olympic Park during the opening ceremony of the Sochi 2014 Winter Olympics in Russia.
Ky muaj shënon 50 vjetorin e Krizës Kubane të Raketave, një përpjekje e Bashkimit Sovjetik për të dislokuar raketa bërthamore në atë vend ishull, rreth 150 kilometra larg brigjeve të Floridës. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Andre de Nesnera analizon nëse zgjidhja e asaj krize jep mësime për një dilemë aktuale ndërkombëtare – programi i dyshuar iranian i armëve bërthamore.

Historianët janë të një mendjeje se gjatë atyre ditëve tetori 1962, Presidenti amerikan John F. Kennedy dhe udhëheqësi sovjetik Nikita Hrushov u vunë përballë njëri-tjetrit në një sfidë që pothuajse shkaktoi luftë bërthamore.

Sergei Hrushov, i biri i udhëheqësit sovjetik dhe profesor në Universitetin Brown në Shtetet e Bashkuara, thotë se kriza u zgjidh paqësisht sepse të dy udhëheqësit ishin të arsyeshëm.

“Ne ishim me fat që dy udhëheqësit ishin të ekuilibruar dhe të arsyeshëm dhe politika e tyre nuk ishte që të godisnin në fillim dhe pastaj të arsyetonin, por të arsyetonin herën e pare, të arsyetonin herën e dytë dhe nëse ishte e mundur të mos hapnin zjarr fare”.

Pak pas krizës së raketave, zoti Kenedi dhe zoti Hrushov krijuan një lidhje direkte komunikimi mes Shtëpisë së Bardhë dhe Kremlinin që vazhdon të ekzistojë edhe sot. Po ashtu ata nënshkruan një traktat që ndalonte provat bërthamore kudo përvecse nëntokë. Ja c’thotë përsëri Sergei Hrushov.

“Por më pas, Kennedy u vra, Hrushovi u rrëzua nga pushteti. Mendoj se nëse ata udhëheqës do të kishin qenë më gjatë në pushtet, mundësia ishte shumë e madhe që Lufta e Ftohtë të kishte përfunduar. Por historia vendosi ndryshe dhe ne iu rikthyem Luftës së Ftohtë dhe garës së çmendur të armëve deri në kohën e Gorbaçovit”.

Ekspertë si Graham Allison i Universitetit të Harvardit thonë se Kriza Kubane e Raketave mbart mësime dhe shton se edhe vetë Presidenti Kennedy e kishte pohuar një gjë të tillë.

“Ai ishte shprehur se mësimi është që krizat që sjellin përplasje të armatosur, që e detyrojnë kundërshtarin të zgjedhë mes tërheqjes poshtëruese dhe luftës, duhen shmangur”.

Zoti Allison thotë se Presidenti Barack Obama përballet me një gjendje të ngjashme me programin e armëve bërthamore që dyshohet të ketë Irani. Ai e quan një “Krizë Kubane

“Presidenti do të përballet me alternativën e të pranuarit të realitetit të një bombe bërthamore iraniane, ose në të kundërt të sulmojë Iranin që të mos ta lejojë të ketë në dorë një armë bërthamore”.

Zoti Allison thotë se Presidenti Kennedy përballej me të njëjtën sfidë.

“Por situata është e ndërlikuar sepse nëse shqyrtohet mundësia e një sulmi ndaj Iranit, pasojat duket se do të ishin të shëmtuara. Nga ana tjetër, nëse lejohet Irani të shtjerë në dorë një armë bërthamore, pasojat në një rajon aq të paqëndrueshëm të Lindjes së Mesme, dhe shanset që një gjë e tillë do të shkaktonte përhapje edhe të mëtejshme të armëve bërthamore, si në Arabinë Saudite, e bëjnë një alternative të tillë shumë të rrezikshme”.

Zoti Allison thotë se administrata amerikane duhet të përpiqet për një alternativë të tretë, ashtu siç bëri Presidenti Kennedy gjatë krizës kubane.

“Unë shpresoj që menjëherë pas zgjedhjeve, qeveria amerikane të përpiqet me intensitet të gjejë një rrugë të tretë që ndoshta nuk do të ishte e përkryer, por që të jetë më e mire sesa sulmi nga njëra anë, ose pranimi i situates nga ana tjetër”.

Sergei Hrushov është në favor të dialogut.

“Ne duhet të negociojmë me Iranin, jo t’i kërcënojmë me sanksione të tjera, por të negociojmë në nivelet më të larta: presidenti amerikan me presidentin Iranian. Nuk mendoj se Presidenti Kennedy e pëlqente Hrushovin më shumë sesa ç’pëlqen Presidenti Obama Ahmadinexhadin. Por Presidenti Kennedy dhe Presidenti Eisenhower e kuptuan se duhet të negocionin, sepse nëse flet me kundërshtarin, mund të ushtrosh ndikim dhe mund ta kuptosh më mirë atë”.

Zoti Hrushov thotë se nëse kriza iraniane nuk zgjidhet dot paqësisht dhe shkon drejt luftës, Shtetet e Bashkuara do të fitojnë. Por i biri i ish-udhëheqësit sovjetik shtron pyetjen: Me çfarë çmimi?
XS
SM
MD
LG