Shqetësimet për ndikimin e ardhshëm të krizës bërthamore në Fukushima të Japonisë kanë zgjuar kujtime të dhimbshme nga bombardimet mbi Hiroshima dhe Nagasaki në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Japonia, më shumë se çdo vend tjetër, ka përjetuar tmerret e rrezatimit radioaktiv. Por ata që përjetuan pasojat e këtyre bombardimeve dhe ende jetojnë sot, shqetësohen se kijtimet e atyre ditëve po veniten...!
Keijiro Matsushima ishte një nxënës 16 vjeçar në një shkollë të Hiroshimës, kur më 6 gusht të vitit 1945, ai pa dy avionë bombardues amerikanë mbi qytet.
“ Mendova: “dy avionë të bukur që shkëlqejnë këtë mëngjes me diell”. Por momentin tjetër pashë një shkëlqim shumë të fortë dhe ndjeva një tronditje shumë të madhe. Njëkohësisht valë të nxehta më goditën”. - thotë ai
Matsushima përshkruan njerëzit që pa teksa largohej nga qyteti:
“Shumë prej tyre ishin djegur shumë, nga koka tek këmbët. Lëkura e tyre ngjyrë hiri të errët, po u rripej nga fytyra, krahët dhe qafa”.
Përllogaritet se 45 mijë njerëz vdiqën ditën e sulmit mbi Hiroshima. Por gjatë muajve, viteve dhe dekadave që pasuan, numri i të vdekurve u rrit, duke mbërritur deri në 166 mijë njerëz. Kejiro kujton:
“Kishte dhe njerëz të shëndetshëm, që dukeshin të paprekur, jo me diegie, pra që dukeshin mirë. Dhe ata u sëmurën papritur me siptoma shumë të çuditshme, për shembull ethe të forta, hemoragji nga mishrat e dhëmbëve ose njolla në vende të ndryshme të trupit. Madje as mjekët nuk kuptonin se nga se ndodhte. Njerëzit thjesht i quajtën këto simptoma - pasojat e bombës”.
Gjatë dekadave që pasuan, këto probleme u njohën si forma të sëmundjeve radioaktive. Kriza aktuale në impiantin bërthamor të Fukushimës, e shkaktuar nga cunami, po përhap tani një valë të re radioaktiviteti në pjesë të ndryshme të Japonisë.
Qeveria ka evakuar çdo person në rrezen 20 km rreth centralit. Disa perime të rritura në Fukushima dhe në prefekturat përreth kanë rezultuar me radioaktivitet. Në Tokjo, 250 km në jug, prindërit janë lajmëruar që të mos përdorin uji e çesmës për foshnjat mbasi në të janë gjetur nivele të larta radioaktiviteti.
Të mbijetuarit nga Hiroshima e Nagasaki, të quajtur Hibakusha, janë kthyer në burime të mëdha informacioni për efektet e ekspozimit radioaktiv. Profesori Masaharu Hoshi i Universitetit të Hiroshimës ka kaluar tre dekada duke i studiuar këto raste. Ai thotë se frika e tij më e madhe tani është rritja e niveleve të radioaktivitetit nga centrali i Fukushimës.
“Një skenar i mundshëm nga Fukushima është se njerëzit mund të jenë ekspozuar gradualisht ndaj radioaktivitetit dhe kjo nuk përbën shqetësim. Por kur ndodh një shpërthim dhe njerëzit ekspozohen ndaj radioaktivitet në harkun kohor të disa ditëve, kjo më frikëson”. - thotë profesori Hoshi
Profesor Hoshi shpreh shqetësimin se informacioni për seriozitetin e situatës është fshehur nga publiku;
“Për shembull, qeveria thotë se cilido që jeton mbas rrezes prej 30 km, është në rregull nëse rri brenda në shtëpi. Por ka ende zona të rrezikshme jashtë zonës prej 30km. Qeveria amerikane tha se zona e rrezikut duhet të jetë 80 km. Për mua, kjo është një përllogaritje më e saktë”.
Keijiro Matsushima thotë se populli japonez harroi shpejt tmerrin e bombës atomike në vitin 1945.
“Njerëzit menduan se nëse fuqia bërthamore përdoret për qëllime paqësore, gjithçka është në rregull. Por ne duhej të kishim mësuar fuqinë shkatërrimatre bërthamore nga eksperiencat e Hiroshimës dhe Nagasakit”.
Matsushima thotë se kërcënimi i centralit bërthamor të Fukushimës i rikujtoi Japonisë atë çka ndodhi atëherë dhe i gjithë vendi është i frikësuar për atë që mund të ndodhë më pas:
“Tani e tutje do të kemi kohë të vështira. Por ne do të bëjmë ç’është e mundur për t’u rimëkëmbur. Këtë mund ta bëjmë!”.
Pikërisht në këtë frymë, zjarrëfikësit dhe inxhinierët që u angazhuan në përpjekjet për të parandaluar një katastrofë në Fukushima, kanë marrë statusin e heronjve. Japonia e di fare mirë se ç’mund të ndodhë nëse përpjekjet e tyre dështojnë.