Në ditën e dytë dhe të fundit të vizitës në Kroaci, Papa Benedikti ritheksoi vlerat tradicionale të familjes, duke u bërë thirrje katolikëve të martohen dhe të kenë fëmijë e jo thjesht të bashkëjetojnë.
Gjatë një meshe të mbajtur sot, Papa Benedikti tha para 300 mijë të pranishmëve që mbushnin hipodromin e Zagrebit se katolikëve u kërkohet të kundërshtojnë laicizmin, i cili, deklaroi ai, kërcënon familjen. Papa u bëri thirrje prindërve të pranojnë natyrën e shenjtë të jetës, që nga ngjizja deri në vdekje.
Papa arriti në kryeqytetin kroat dje dhe tha se ai mbështet me forcë anëtarësimin e Kroacisë në Bashkimin Evropian nëse ky vend kryesisht katolik ndihmon për të mbrojtur vlerat e krishtera.
Kroacia pritet të jetë vendi i radhës për të hyrë në bllokun prej 27 vendesh. Anëtarësimi i saj pritet në vitin 2012 ose 2013.