Lidhje

Kroacia zyrtarisht anëtare e BE-së


Mëngjesin që shënoi anëtarsimin e Kroacisë në Bashkimin Evropian, banorët e Zagrebit shprehën optimizëm të rezervuar rreth përfitimeve që mund të sjellë ky anëtarësim. Në mesnatën e së dielës u dëgjuan tingujt e himnit të Bashkimit Evropian, treguesi zyrtar se Kroacia ishte anëtare e BE-së. Mijëra njerëz festuan këtë hap përpara të Kroacisë si anëtarja e 28-të e bllokut, duke lënë mënjanë të paktën për sot vështirësitë ekonomike të vendit si pasojë e recesionit, që ka prekur vendit gjatë 5 vjetëve të fundit.

Ky vend kryesisht katolik me 4.4 milion banorë është vendi i dytë mes 7 vendeve të krijuara nga shpërbërja e Jugosllavisë, që anëtarësohet në BE, pas Sllovenisë në vitin 2004.

Ky anëtarësim përbën një arritje të madhe në rimëkëmbjen e rajonit nga luftërat e viteve 90-të, të cilat krijuan frazën “spastrimi etnik” dhe shkaktuan më shumë se 120 mijë të vrarë, mes tyre 20 mijë në Kroaci.
Ai përbën gjithashtu shtrirjen e parë drejt lindjes të Bashkimit Evropian që prej vitit 2007, kur Rumania dhe Bullgaria u anëtarësuan, të cilat pasuan anëtarësimin e 10 vendeve të tjera në vitin 2004.
Kriza ekonomike ka krijuar vështirësi të pashembullta për Bashkimin Evropian, duke minuar mbështetjen popullore dhe nxitur dyshime lidhur me dobinë e shtrirjes së mëtejshme drejt ish Jugosllavisë.

Vështirësitë brënda BE-së kanë shkaktuar dyshime mes shumë kroatëve lidhur me të ardhmen e tyre në bllokun evropian.

“Në çdo rast, do të kemi përfitime. Shpresoj që anëtarësimi në BE të krijojë një ndjenjë përgjegjësie, pune dhe disipline në mënyrë që gjërat të funksionojnë si duhet”, tha Mladen Knez, pronar i një biznesi të vogël.

“Me pak fjalë, ceremonia e sotme e pranimit të Kroacisë në BE ishte shumë e bukur. Mendoj se njerëzit e shikojnë këtë hap si konfirmim të dëshirës së tyre. Mendoj se anëtarësimi në BE është pozitiv, veçanërisht për të rinjtë”, tha Ljubica Roscic, që u kthye në Zagreb pasi jetoi në Zvicër për më shumë se 40 vjet.

Zyrtarët kroatë dhe ata të Bashkimit Evropian përuruan sot të ashtuquajturën 'Shtëpia Evropiane' në një ndërtesë tepër moderne prej mermeri dhe xhami fare afër sheshit qendror të Zagrebit.

Flamujt kroatë dhe të BE-së u ngritën në kryeqytetin Zagreb, ndërsa Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz dhe Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso folën për të pranishmit, duke theksuar përparimin e madh që ka bërë Kroacia gjatë gati 2 dekadave të fundit.

“Vetëm para 15 vjetësh, Kroacia përjetoi një luftë të tmerrshme, shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe shpërngulje të mëdha, ndërsa sot ne mirëpresim Kroacinë në familjen tonë të madhe evropiane”, tha zoti Schulz.

“Para disa kohësh, bashkë me Presidentin e Parlamentit Evropian, Martin Schulz, dhe Presidentin e Këshillit Evropian, ne pranuam në emër të Bashkimit Evropian Çmimin Nobel, pikërisht për këtë ide të ripajtimit dhe bashkimit të Evropës. Ky është një projekt i madh dhe i fuqishëm, i aftë për të bashkuar një kontinent të ndarë e të përçarë”, tha zoti Barroso.

Për t’u pranuar anëtare e BE-së, Kroacia përmbushi një sërë reformash të vështira dhe shpesh jo popullore gjatë 7 vjetëve të fundit.

Ky vend ka ekstraduar mbi 10 udhëheqës politikë dhe ushtarakë të akuzuar për krime lufte, shiti kantjerë plot me tradita, por edhe të zhytur në borxhe dhe ndërmori një luftë kundër rryshfeteve, që çoi në burgosjen e ish kryeministrit Ivo Sanader.

Bregdeti i Adriatikut të këtij vendi nga kodrat e Istrias në veri deri në qytetin mesjetar të Dubrovnikut në jug, është bërë si një magnet për më shumë se 10 milion turistë çdo vit.
XS
SM
MD
LG