Lidhje

Kroacia shpëton 65 njerëz në Adriatik


UNHCR: Rojet Bregdetare kroate shpëtuan 65 njerëz që gjendeshin prej dy ditësh në një anije pa energji elektrike

Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, ose UNHCR, thotë se Rojet Bregdetare kroate shpëtuan të hënën 65 njerëz që gjendeshin në një anije në vështirësi në detin Adriatik. UNHCR-ja thotë se anija ishte vënë re ndërkohë që i largohej ishullit kroat Mljet, natën e së dielës.

Agjencia e OKB-së për refugjatët vlerësoi veprimet e Rojes Bregdetare kroate, por tha se për fat të keq, jo të gjitha rastet e anijeve në det të hapur kanë një fund të lumtur. Ajo tha se anijet që kalojnë pranë nganjëherë injorojnë sinjalet e shqetësuara të njerëzve në det, duke rezultuar në vdekje.

Zëdhënësi i UNHCR-së Adrian Edwards tha se ekuipazhi i Rojes Bregdetare siguroi ushqim, ujë dhe furnizime mjekësore për njerëzit në bord dhe shoqëroi anijen në portin e kryeqytetit Dubrovnik, ku disa nga pasagjerët e shpëtuar janë duke marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor.

"Varka, nga të dhënat që kemi, rezulton të jetë nisur nga Greqia. Ajo mbeti pa energji elektrike. Ishte në mëshirë të fatit për dy ditë. Të gjithë udhëtarët ishin meshkuj, siç njoftohet, të 12 kombësive të ndryshme - duke përfshirë sirianë, afganë, somalezë dhe egjiptianë. Me kërkesë të autoriteteve, partneri ynë, Kryqi i Kuq, është në terren duke siguruar ndihmë humanitare dhe mjekësore në portin e Gruzit. Kemi të dhëna se disa udhëtarë kishin nevojë për ndihmë mjekësore urgjente. Në dispozicion të tyre u vunë gjithashtu batanije dhe ndihma të tjera bazë."

Agjencia e OKB-së për refugjatët është duke ndjekur nga afër situatën. Por informacioni në dispozicion nuk është i detajuar. Një tjetër zëdhënës i agjencisë, Andrej Mahecic, tha se stafi i UNHCR-së do të pyesë të mbijetuarit për të përcaktuar se kur dhe pse u nisën nga Greqia. Ai thotë se personeli i OKB-së do të përcaktojë nëse personat që ishin në bord janë emigrantë apo njerëz që kërkojnë azil. Duke patur parasysh vendet nga të cilat ata vijnë, thotë ai, ka të ngjarë që të paktën disa prej pasagjerëve të kenë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare.

Zoti Mahecic tha se kufiri midis Turqisë dhe Greqisë është një pikë kryesore e hyrjes në Evropë për emigrantët dhe azilkërkuesit. Ai tha se sistemi grek për azil nuk i identifikon në mënyrë të përshtatshme personat që kanë nevojë për azil.

"Normat e njohjes në Greqi janë më të ulëta, për shembull, për refugjatët nga Somalia apo nga Iraku. Shkalla e njohjes është shumë më e ulët në Greqi se në disa vende të tjera evropiane. Pra është e qartë, që shumë njerëz të cilët mbërrijnë në Greqi përballen me vështirësi. Ky është vetëm rasti i fundit. Por ne e dimë me saktësi që shumë njerëz kanë lëvizur me rrugë tokësore ose duke përdorur rrugë të tjera për të shkuar në vende të tjera evropiane, ku të paraqesin aplikimet për azil."

UNHCR-ja thotë se Deti Mesdhe është një nga rrugët më të ngarkuara të migracionit për në Evropë, përmes Greqisë, Italisë dhe Maltës. Vitin e kaluar, thotë agjencia, kaluan më shumë se 58 mijë persona. Agjencia e OKB-së për refugjatët vlerëson se më shumë se 1 mijë e 500 njerëz u mbytën ose janë zhdukur vitin e kaluar, duke kaluar në Mesdhe, për të mbërritur në Evropë.
XS
SM
MD
LG