Lidhje

Kryeministri Berisha mirëpret rekomandimet e OSBE nga raporti final


Kryeministri Berisha mirëpret rekomandimet e OSBE nga raporti final
Kryeministri Berisha mirëpret rekomandimet e OSBE nga raporti final

Kryeminstri i Shqipërisë Sali Berisha deklaroi në Tiranë se raporti final i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore ishte objektiv dhe frymëzues për zgjedhjet e ardhshme.

Zoti Berisha tha se mirëpriste rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe se ftonte opozitën që të takoheshin menjëherë për të nisur reformën mbi bazën e këtyre rekomandimeve.

“Shpreh ftesën time së pari ndaj opozitës shqiptare dhe të gjitha forcave politike që bashkarisht dhe pa humbur kohë të ulemi dhe të trajtojmë një nga një rekomandimet e cmuara të këtij raporti në interesin më të mirë të një procesi që është themelor në shoqëritë e lira” - tha ai.

Kryeministri Berisha tha se raporti konfirmoi faktin që shteti ligjor funksionoi, se çdo votë u numërua dhe u llogarit sipas shprehjes së vullnetit të qytetarve. Ai e garantoi opozitën se maxhoranca ka vullnetin e plotë për të pranuar cdo kërkesë të socialistëve në dobi të procesit.

“I garantoj se si qeveri dhe si maxhorancë se kemi të gjithë vullnetin për të bërë të gjitha kompromiset e nevojshme në mënyrë që opozita shqiptare të gjejë hapësirat më të mëdha për të realizuar ato që ajo mendon se i shërbejnë sistemit zgjedhor” - tha ai.

Zoti Berisha ftoi gjithashtu edhe ekspertët e ODIHR-it që të bashkangjiten procesit të reformës zgjedhore qysh në muajin shtator, sic kanë propozuar ata vetë. “Ftoj gjithashtu ODIHR-in dhe Komisionin e Venecias që të asistojnë në këtë proces për interesin më të mirë të një reforme, e cila do të përputhet tërësisht me standartet ndërkombëtare” - tha ai.

Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore është ende duke u studiuar nga drejtuesit dhe ekspertët e opozitës socialiste. Disa politikanë kryesorë të tyre pohuan se po e studiojnë raportin, por se nuk kanë ende deklaratë për publikun. Ndërsa një zëdhënëse e Partisë Socialiste tha se një reagim zyrtar më i plotë dhe më i detajuar mund të dalë nesër nga selia e tyre.

XS
SM
MD
LG