Lidhje

Kryeministri i Turqisë mban takime intensive pas dorëheqjeve në masë në ushtri


Kryeministri i Turqisë mban takime intensive pas dorëheqjeve në masë në ushtri
Kryeministri i Turqisë mban takime intensive pas dorëheqjeve në masë në ushtri

Qeveria turke dhe udhëheqësit ushtarakë po takohen prej disa ditësh për bisedime që janë përqëndruar në promovimin e personelit të lartë të ushtrisë. Por takimi vjetor i Këshillit Suprem Ushtarak është shumë i vështirë pasi kësaj here është qeveria ajo që përcakton axhendën. Dorëheqja e katër komandantëve të lartë të Turqisë të premten shihet gjerësisht si fundi i dekadave të ndërhyrjeve politike të gjeneralëve të vendit. Por shqetësimet vazhdojnë të mbeten mbi veprimet që do të ndërmarrë kryeministri pas marrjes së pushtetit.

Duke pasur parasysh që ushtria turke ka detyruar rrëzimin e katër qeverive nga pushteti që nga viti 1960, çdo kryeministri të zgjedhur në mënyrë demokratike i është dashur të punojë nën hijen e rëndë të gjeneralëve të vendit. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për kryeministrin e tanishëm Reçep Taip Erdogan. Partia e tij me rrënjë islamike shihet me dyshim të thellë nga ushtria laike e vendit. Por të premten, e gjithë komanda ushtarake e vendit dha dorëheqjen në shenjë proteste ndaj burgosjes së dhjetra oficerëve të lartë si pjesë e një hetimi për konspiracion kundër qeverisë. Zëvendës redaktori Yasmin Congar i së përditshmes turke Taraf thotë se veprimi sinjalizon fundin e ndërhyrjes së ushtrisë në politikën e vendit.

“Është një hap madhor në rrugën e gjatë të Turqisë drejt demokratizimit, ku ushtria mund të ketë qënë gjithmonë më e fortë sesa zyrtarët e zgjedhur në pushtet. Tani shohim se ajo çfarë kërkon të bëjë qeveria civile në Turqi, mund të përcaktohet vetëm në kutitë e votimit dhe jo më nga gjeneralët”.

Gazeta Taraf ka qënë në vijën e parë të ekspozimit ndaj konsipacionit të dyshuar ushtarak kundër qeverisë. Gjeneralët pretendojnë se hetimi është një gjueti shtrigash kundër tyre, bazuar në dokumentacione të sajuara dhe të pavërteta. Vendosja e ushtrisë nën kontrollin civil është një kërkesë kyçe e Bashkimit Evropian ku Turqia kërkon të anëtarësohet. Por në rrugët e Stambollit, gjen mendime të ndryshme për dorëheqjet në ushtri si një hap përpara drejt demokracisë.

“Jam i bindur për këtë. Oficerët po punojnë nën komandën e kryeministrit, dhe nëse nuk janë dakort me diçka, ashtu siç ndodh me të gjithë ne në organizatat ku punojmë, jepet dorëheqja. Kjo ndodh në demokraci dhe jam i kënaqur për këtë”.

Por një banor tjetër nuk është i bindur.

“Është si një përplasje mes dy rivalësh. Pra demokracia mbetet ashtu siç ishte më parë”.

Rezerva të tilla mund të shpjegohen pjesërisht nga ajo që disa vëzhgues thonë se është rritje e sjelljes autoritare të kryeministrit. I fuqizuar nga suksesi i përsëritur i zgjedhjeve – më e fundit në muajin e kaluar ku ai siguroi 50 përqind të votave – kritikët thonë se ai e ka përdorur pushtetin e tij për të kërcënuar median dhe për të vendosur sistemin e drejtësisë nën një kontroll më të madh nga qeveria. Profesori i shkencave politike Çengiz Aktar në universitetin Bahçesehir në Stamboll ndërsa e mirëpret lëvizjen për të vendosur ushtrinë nën kontrollin civil, është i shqetësuar rreth pushtetit të kryeministrit që po bëhet gjithnjë e më i pakontrolluar.

“Ky mbibesim, kjo ndjenjë force, i jep kryeministrit Erdogan të gjitha të drejtat rreth të gjithëve dhe çdo gjëje. Kjo mënyrë përqasje ndaj çështjeve nuk do të ndihmojë për të sjellë zgjidhje”.

Kritikët theksojnë shtypjen e studentëve disidentë, burgosjen e mijëra anëtarëve të lëvizjes pro-kurde dhe burgosjen e më shumë se 50 gazetarëve si shembuj të pushtetit politik. Shqetësime të tilla po ngrihen gjithnjë e më shumë nga aleatët e Turqisë, si në Evropë edhe në Shtetet e Bashkuara. Në një vizitë muajin e kaluar në Turqi, Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton ngriti të njëjtat shqetësime.

“Procesi i reformave kushtetuese në Turqi përbën një mundësi për të adresuar shqetësimet rreth kufizimeve të tanishme, që dëgjova nga të rinjtë turq, rreth lirisë së shprehjes dhe fesë, nxitjes dhe mbrojtjes së të drejtave të pakicave”.

Por kryministri në një fjalim kohët e fundit në televizion riafirmoi vendosmërinë e tij për një kushtetutë të re demokratike.

Zoti Erdogan thotë se kushtetuta e re duhet të hartohet me një pjesëmarrje sa më të gjerë të mundshme dhe duhet të jetë një konsensus që do të plotësojë kërkesat e gjithë shoqërisë. Ai shoi se ajo duhet të jetë demokratike dhe liberale. Vëzhguesit thonë se besnikëria ndaj këtij angazhimi është një provë e rëndësishme sesi kryeministri do ta përdorë pushtetin e tij në rritje.

XS
SM
MD
LG