Lidhje

Rama: Kufirin Kosovë Shqipëri të mos e shohim


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po qëndron për vizitë në Kosovë, të parën jashtë vendit që kur mori postin e ri

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha sot në Prishtinë se shekulli i ri i shqiptarëve lindi me fatin e bashkimit dhe kufiri midis Kosovës dhe Shqipërisë i takon së djeshmes Ai po qëndron për vizitë në Kosovë, e para që kur morri postin e kryeministrit të Shqipërisë.

Gjatë fjalimit në Parlamentin e Kosovës, ai tha se nuk ndodhet në Kosovë për ”vazhdimin e retorikes së shtetit amë me shtetin bijë, por për një aleancë strategjike mes të barabartësh”.

Kryeministri Rama, vlerësoi lartë marrëveshjen Kosovë - Serbi duke theksuar se ajo ka mbyllur përfundimisht historinë e përgjakshme dhe inercinë paralizuese të ish -Jugosllavisë dhe ka hapur faqen e një historie të re.



Vij sot përpara jush me gjithë admirimin tim përse si ju, protagonistët e gjallë të historisë së luftës çlirimtare kundër fashizmit serb, u bëtë edhe protagonistët e dialogut dhe paqes me fqinjin serb. Vij sot këtu edhe me respektin tim më të madh për çka keni ditur dhe arritur të bëni për Kosovën në vetëm me pesë vjet shtet dhe pavarësi në vendimmarrje, por edhe me disponimin më të plotë për të mësuar prej jush tani më që e keqja e ndarjes nuk është më në mes të dy rrugëve tona, por rruga jonë është e bashkuar drejt familjes evropiane”, tha ai.

Kryeministri Rama tha se kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk është më sfidë për t’u kapërcyer...

Atë vijë të padukshme, kufirin tonë, mund ta shoh dhe ta propagandojë sot si pengesë për të ardhmen e përbashkët, vetëm kush nuk di se ç’të bëjë pa të. Kufiri është e djeshmja, e ardhmja nuk ka kufij. Që e djeshmja të mos na kushtëzojë të ardhmen, ka vetëm një gjë për të bëre me vijën e padukshme, të mos e shohim. Dhe po njësoj, një gjë mbetet për të bërë. Ata që merren me kufirin, që na kushtëzojnë vizionin dhe rrugën e të ardhmes me retorikat nacionaliste të së shkuarës, të mos i dëgjojmë”, u shpreh ai.

Ai tha të dyja vendet nuk duhet të kompleksohen nga fyejt e retorikës nacionaliste.

Prandaj ta bëjmë realitet edhe traktatin e miqësisë, bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë dhe sigurisë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Është një kornizë ndërkombëtarisht e aprovuar bashkëpunimi mes shtetesh, e cila nga njëra anë, asgjëson çdo bazë spekulimi jo dashamirës për intensifikimin e këtij bashkëpunimi, por nga ana tjetër e ndihmon për një gjë ende më të rëndësishme, e vendosë edhe Kosovën bashkë me Shqipërinë, në këndin e trekëndëshit të partneritetit strategjik të Shqipërisë më Turqinë, Greqinë dhe Italinë. Kësisoj, bashkërisht rikonceptojmë rolin e Shqipërisë dhe Kosovës në rajon dhe më tej”.

Kryeministri Rama tha se të dyja vendet duhet të lënë fjalët por të punojnë për sistem të përbashkët të arsimit, bashkim doganor, fuqizim të ekonomisë, bashkëpunimit të ngushtë në fushat e kulturës e sportit dhe të përparimit në integrimet evropiane.
Ai i siguroi mikpritësit e tij edhe për angazhimin e Shqipërisë në funksion të përfshirjes së Kosovës në rrjetin e gazsjellësit Trans-Adriatik.

S’do isha i drejtë po të mos e përmendja këtu fillimisht punën e mirë të paraardhësit tim, kryeministrit Berisha si pjesë e lobit të qeverive mbështetëse të projektit TAP, ndërkohë që dua t’ju sigurojë se ne do të shkojmë ende më tutje, duke bërë çdo përpjekje që jo linjë strategjike gazi që do të kalojë edhe nëpër Shqipëri, për t’u ngjitur lart në Mal të Zi, Kroaci e më tej, të ketë me patjetër edhe një degëzim në Kosovë”.

Kryeministri Rama dhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, u angazhuan edhe për kujdesin ndaj shqiptarëve që jetojnë në vendet përreth. Kryeministri Rama tha se Kosova është bërë vendi kuptimplotë për të folur rreth mbrojtjes së pakicave.

Për të folur në radhë të parë për nevojën për të mbrojtur bashkërisht bashkëkombësit tanë që në tjera troje përreth përballen me mohim, pandjeshmëri apo edhe diskrimimin. Jo duke i keqpërdorur si subjekte fjalimesh politike që ushqejnë oxhakun e vjetër të nacionalizimit ballkanik, por duke u kujtuar vijimësisht të tjerëve detyrimet e tyre e duke plotësuar paqësisht, me këmbëngulje, detyrimet tona si shqiptar, ndaj shqiptarësh”, tha ai.

Kryeministrat e të dyja vendeve janë pajtuar që në muajin nëntor të mbajnë mbledhjen e parë të përbashkët në kuadër të asaj që kryeministri Rama e cilësoi bashkëqeverisje strategjike.

Fjalimi i kryeministrit Rama nxiti reagime tek një pjesë e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët ia panë për të madhe që nuk e përmendi në fjalimin e tij presidentin e ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Pasdite, kryeministri Rama, duke bërë homazhe tek varri i presidentit Rugova tha se pa të Kosova e sotme nuk do të ishte bërë realitet.
XS
SM
MD
LG