Lidhje

Kubano-amerikani Mayorkas sjell përvojën e tij të emigracionit


Alejandro Mayorkas, U.S. President-elect Joe Biden's nominee to be director of Homeland Security, speaks as President-elect Biden announces his national security nominees and appointees at his transition headquarters in Wilmington, Delaware, U.S.,…
Alejandro Mayorkas, U.S. President-elect Joe Biden's nominee to be director of Homeland Security, speaks as President-elect Biden announces his national security nominees and appointees at his transition headquarters in Wilmington, Delaware, U.S.,…

Njeriu i emëruar nga Presidenti i zgjedhur Joe Biden si sekretar i Departamentit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara (DHS) është përshkruar si fjalëpak, i drejtpërdrejtë dhe me shpirt të dhembshur.

Kubano-amerikani Alejandro Mayorkas, ish zyrtar i administratës Obama, nëse konfirmohet nga Senati, do të ishte latino-amerikani i parë në krye të DHS, një agjenci e krijuar pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001. Ajo është agjencia e tretë më e madhe federale në vend.

"Ai është një njeri me pak fjalë, por një njeri i fjalës, gjë që është me të vërtetë thelbësore dhe e rëndësishme", thotë Gaby Pacheco, drejtore e komunikimit për organizatën jofitimprurëse TheDream.US, që ndihmon të rinjtë pa dokumente me mbështetje financiare përmes bursave universitare.

Vetë zonja Pacheco ka përfituar nga DACA, programi i kohës së presidentit Obama që lejon emigrantët, të cilët u sollën në Amerikë si të mitur pa status ligjor, të qëndrojnë legalisht dhe të punojnë e studiojnë pa frikën e dëbimit. Ajo u njoh me zotin Mayorkas përmes punës së saj me DACA-n, kur ai ishte një ndihmës i lartë pranë Shërbimeve të Shtetësisë dhe Imigracionit të Shteteve të Bashkuara (USCIS).

“Herën e parë që u takuam, ai erdhi në zyrat e Forumit Kombëtar të Imigracionit… Pas kësaj ne filluam të shkonim në zyrat e USCIS dhe të takoheshim me [zyrtarë] ndërsa vinin në zbatim programin DACA,... duke u përpjekur të kuptonim se si duhet të ishte ky program," thotë ajo.

Në administratën Obama, zoti Mayorkas ishte kubano-amerikani i rangut më të lartë, duke u bërë zëvendës sekretar i DHS nën ish-Sekretarin Jeh Johnson. Para kësaj, ai ka qenë drejtor i USCIS, ku mbikëqyrte sistemin e natyralizimit dhe imigracionit të vendit.

Zoti Mayorkas luajti rol në formësimin e DACA-s dhe Pacheco tha se ai ishte një nga të paktët që njohu rëndësinë e punës në favor të emigrantëve. Ai mbikëqyri zbatimin, çështjet logjistike dhe ligjore për të zbatuar programin rreth dy muaj pas shpalljes së tij.

"Ai është shumë i zgjuar në mënyrën se si flet, por u njeh meritat atyre që u takojnë, sepse ndonjëherë politikanët i harrojnë njerëzit që qëndrojnë pas gjithë kësaj," shtoi ajo.

Nga Kuba në Amerikë

Mayorkas është bir i refugjatëve hebraiko-kubanë të cilët e morën me vete kur u arratisën nga regjimi komunist i Fidel Castros në vitin 1960. Ai jetoi në Miami kur ishte fëmijë, por familja përfundimisht u vendos në Kaliforni, ku ai më vonë filloi një karrierë qeveritare si ndihmës prokuror.

Në një koment në Twitter të hënën, ai tha, "Tani jam emëruar si Sekretar i DHS për t’u kujdesur për mbrojtjen e të gjithë amerikanëve dhe të atyre që largohen nga persekutimi në kërkim të një jete më të mirë për veten dhe të afërmit e tyre".

Al Cardenas, një kubano-amerikan dhe ish-kryetar i Partisë Republikane të Floridës, tha në një koment në Twitter, "Ky është ndryshimi i nevojshëm, bekuar qoftë!”

Administrata Trump ka ndërmarrë më shumë se 400 veprime ekzekutive që e kanë riformësuar në mënyrë dramatike sistemin e imigracionit të vendit. Presidenti i zgjedhur Joe Biden pritet të prapësojë shumë prej këtyre politikave, duke përfshirë heqjen e kufizimeve të udhëtimit për persona nga 13 vende dhe bllokimin 100-ditor të dëbimeve, ndërsa administrata e tij do të vazhdojë të lëshojë udhëzime të reja.

Presidenti i zgjedhur është zotuar të lehtësojë kufizimet për punonjësit e përkohshëm, të zbutë kufizimet e vizave për studentët e huaj, të ndalë ndërtimin e murit kufitar dhe t'i japë fund qendrave private të paraburgimit të imigrantëve.

"Por unë nuk jam naive", tha zonja Pacheco, duke shtuar se, "Ne do të duhet ta mbajmë atë përgjegjës dhe ta shtyjmë të bëjë gjënë e duhur, por kjo nuk do të jetë aq e vështirë sa ka qenë në të kaluarën."

Kritikat

Sipas një raporti të inspektorit të përgjithshëm të DHS në vitin 2015, Mayorkas u përfshi në çështje ligjore që lidheshin me njerëz "politikisht të fuqishëm", pjesëmarrës në programin e vizave për investitorët. Ai u akuzua për përdorimin e pozitës së tij për të shpejtuar procesin e aplikimeve për viza.

Një zëdhënës i ekipit të tranzicionit të zotit Biden i tha agjencisë së lajmeve Reuters se inspektori i përgjithshëm nuk gjeti ndonjë shkelje ligjore dhe arriti në përfundimin që veprimet e Mayorkas ishin "legjitime brenda kompetencave të tij".

Disa analistë thonë se emërimi i zotit Mayorkas është një tregues i synimit të presidentit të zgjedhur Biden për të sjellë dikë me përvojën e duhur të imigracionit në krye të DHS.

"Ai vjen me respekt të thellë për komunitetin e biznesit, ekspertët e sigurisë kombëtare dhe politikën e jashtme, reformatorët e imigracionit, zyrtarët e zgjedhur dhe nëpunësit civilë të karrierës nga i gjithë spektri ideologjik", tha Todd Schulte, presidenti i FWD.us, në një deklaratë për shtyp.

FWD.us është një organizatë jopartiake, e themeluar nga anëtarë të komunitetit të biznesit dhe teknologjisë. Organizata përpiqet për reformimin e sistemin të imigracionit dhe të drejtësisë penale.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG