Lidhje

Kujdesi për fëmijët me aftësi të kufizuara në Shqipëri


Në Tiranë dhe qytete të tjera po shtohet kujdesi për fëmijët me aftësi të kufizuara. Por si po trajtohet kjo problematikë në një prej zonave më të varfra shumë pranë kryeqytetit, Bathore?

Roni është nxënës i klasës së parë të shkollës 9 vjeçare “Ahmet Zogu” në një nga lagjet e bashkisë së Kamzës.

Ai është njëri nga 16 fëmijët me aftësi të kufizuara që mësojnë në shkollën me 56 mësues dhe afro 1300 fëmijë të tjerë.

Kujdesi për ta është një ngarkesë më shumë për mësuesit, që iu përkushtohen atyre me dashuri dhe pasion.

“Roni mungonte në mësim dhe aq pak sa rrinte në klasë, qante dhe grindej me shokët, por tani është bërë i rregullt dhe po zhvillohet sidomos në matematikë, falë mësueses së tij. Në fillim Ronin nuk e pranuan në klasë prindërit e 26 fëmijëve të tjerë, por tani çdo gjë është në rregull”- thotë mësuesja e tij Sadete Spahiu.

Roni është djali i dytë i Gazmendit, 30 vjeçarit nga Dibra, i cili mungoi për disa vjet kur emigroi në Greqi për punë, duke qëndruar larg familjes.

“Djemtë, Sulejmani dhe Roni, shkojnë bashkë në shkollë dhe mësojnë së bashku, por më shumë e ka ndihmuar mësuese Sadetja, psikologia dhe shkolla” - thotë Gazmendi.

Për të ndihmuar këta fëmijë me aftësi të kufizuara, shkolla ka ngritur grupin mbështetës, ku bëjnë pjesë psikologë e mësuesit kujdestarë, mjekja e shkollës, madje u ngrit edhe një komision për fëmijët me aftësi të kufizuara.

“Mësuesit punojnë vetë me këta fëmijë pa lënë mënjanë programin shkollor për fëmijët e tjerë. Kemi mësues mjaft të përkushtuar si Sadete Spahiu, Vitore Ceku dhe Dritan Breca” - thotë Azem Kovaçi, drejtor i shkollës.

Shkolla 9 vjeçare “Ahmet Zogu” gjendet në mesin e një njërës prej zonave më të varfëra dhe më të papuna të Shqipërisë.

Shkolla është mbështetja kryesore për këto komunitete në nevojë dhe ao po ndihmohet me trajnim dhe kujdes të shtuar nga organizatat humanitare si Uorld Vision për të trajtuar nxënësit me aftësi të kufizuara.

“Studimi më i fundit i World Vision zbuloi se numri i fëmijëve me aftësi të kufizuara deri në 17 vjeç është 3 herë më i lartë se ai që njihet nga autoritetet, dhe se këta fëmijë ndjehen 8 herë më të shtypur se fëmijët e tjerë” - thotë Klodiana Kapo, përfaqësuese e organizatës World Vision.

Për fëmijë si Roni kujdesen mësues të pasionuar, por fëmijë të tillë ka në çdo shkollë të Shqipërisë dhe nevojat për kujdesin profesional ndaj tyre janë përherë e më të mëdha.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG