Lidhje

Mot i keq vështirëson jetën në Kosovë


Mot i keq vështirëson jetën në Kosovë
Mot i keq vështirëson jetën në Kosovë

Kosova po përballet me një mot të lig të shoqëruar me të reshura të shumta të borës dhe temperatura të ulëta. Tashmë një numër i konsiderueshëm i komunave kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, ndërsa edhe Forcat e Sigurisë së Kosovës janë angazhuar në hapjen e rrugëve. Trupat u dërguan në disa zona për të zhbllokuar fshatra të izoluara nga ortekët e borës.

Instituti Meteorologjik i Kosovës ka paralajmëruar se temperaturat do të shënojnë rënie gjatë ditëve në vazhdim dhe sipas parashikimeve, ato do të bien deri në minus 22 shkallë celsius.

Gjendja e krijuar në vend ka bërë që ministria e arsimit të vendosë ndërprerjen e mësimit në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës deri më 13 shkurt, ndërsa edhe Universitetet kanë vendosur të ndërpresin të gjitha veprimtaritë për shkak të motit të lig.

Të reshurat e mëdha të borës dhe ulja e temperaturave kanë shkaktuar në trafik si dhe probleme me furnizim me energji elektrike dhe ngrohje.

Policia e Kosovës bëri të ditur se një numër i konsiderueshëm i rrugëve janë bërë të pakalueshme. Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin sa më shumë që është e mundur shfrytëzimin e makinave, ndërsa kur kjo është e domosdoshme, të jenë të kujdesshëm dhe të kenë pajisjet e nevojshme dimërore.

Reshjet kanë shkaktuar vështirësi edhe në trafikun ajror dhe gjatë ditës që lamë pas pjesa më e mashe e fluturimeve janë anuluar ose orientuar në aeroportet fqinje.

Në spitalet e Prishtinës janë anuluar shumë ndërhyrje kirurgjike për shkak të të ftohtit, ndërsa është shënuar shtim i numrit të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore edhe për shkak të lëndimeve që kanë pësuar në rrugët e akullta.

Prishtina ka përjetuar mungesa të theksuara të ngrohjes dhe vështirësi në furnizimin me energji elektrike. Për këtë arsye, Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit ka vendosur të shfrytëzojë burime alternative të energjisë elektrike për të ndihmuar kursimin e saj.

Autoritetet thanë se po ndjekin situatën në vend por ende nuk është e tillë që ta bëjë të domosdoshme shpalljen e gjendjes emergjente në shkallë vendi.

XS
SM
MD
LG