Lidhje

Përpjekjet për ndryshimin e kushtetutës amerikane

  • Nikoleta Iliç

Çdo vit, Arkivi Kombëtar organizon ngjarje për nder të Katër Korrikut, ditëlindjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këtë vit, Arkivi Kombëtar ka përgatitur një ekspozitë të përshtatshme për këtë festë. Ekspozita e quajtur "Ndryshimi i Amerikës", tregon historinë e mijëra përpjekjeve të dështuara për të ndryshuar Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara, e përbërë nga parime themelore mbi të cilat qeveriset Amerika.

Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara mishëron një koncept të thjeshtë dhe gjithëpërfshirës: ajo thekson se të drejtat e njerëzve rrjedhin direkt nga krijuesi - jo nga shteti - dhe njerëzit vetëm atëherë ia japin të drejtat qeverisë. Asgjë e ngjashme nuk ishte bërë më parë.

Themeluesit e Amerikës besonin se një qeveri e përbërë nga njerëz që nuk janë të përsosur që sundojnë mbi njerëzit e tjerë, po ashtu jo të përsosur, duhet të ketë pushtet të kufizuar. Kushtetuta i jep qeverisë vetëm ato të drejta që njerëzit duan që t’i ketë qeveria. Me kalimin e viteve, kushtetuta amerikane prej tetë faqesh është ekspozuar ndaj propozimeve të shumta për ta ndryshuar atë, thotë kuratorja e Arkivit Kombëtar, Christine Blackerby.

"Në Kongres ka pasur rreth 11,000 propozime për ndryshime kushtetuese. Një amendament propozohet kur një anëtar i Kongresit e paraqet atë në Dhomën e Përfaqësuesve ose në Senat."

Përpjekjet për të ndryshuar Kushtetutën filluan pothuajse që nga momenti kur ajo hyri në fuqi më 1789. Billi i të Drejtave, 10 amendamentet, ku renditen 10 kufizime specifike mbi pushtetin që ka qeveria, u miratuan më 1791.

"Ishin tre arsye kryesore ose ide të mëdha që rezultuan në ndryshime kushtetuese. Shumica, 17 nga 27 amandamentet e ratifikuara kishin të bënin me zgjerimin e të drejtave, duke përfshirë të drejtën e votimit, lirinë e fjalës, ushtrimin e lirë së fesë dhe shumë të drejta të tjera".

Një tjetër temë kryesore, thotë zonja Blackerby, ishte rregulloret mbi pushtetin e qeverisë.

"Për shembull, ne kemi kufizuar në dy mandate të drejtën e presidentit amerikan për të shërbyer në këtë post".

Ka patur propozime të tjera si zgjedhja e presidentëve me lotari, ose heqja e Kolegjit Zgjedhor, rregullimi i martesave, rregullore për zogjtë shtegtarë dhe konsumin e alkoolit.

Ka pasur edhe periudha të aktiviteteve intensive të ndryshimeve, kryesisht gjatë kohës së ndryshimeve shoqërore.

Numri më i madh i amendamenteve të propozuara ka të bëjë me Amendamentin e të Drejtave të Barabarta të miratuara nga Kongresi, por jo nga të gjitha shtetet amerikane.

Asnjë prej 1100 propozimeve të mëvonshme për ta përfshirë atë në Kushtetutë nuk ka funksionuar, thotë zonja Blackerby.

"Tre të katërtat e shteteve duhet ta ratifikojnë atë. Pra, megjithëse Amendamenti për të Drejtat e Barabarta u miratua në Kongres, me dy të tretat e votave, nuk arriti të ratifikohej nga shtetet dhe si rezultat nuk është pjesë e Kushtetutës."

Historia ka dëshmuar se ndryshimet kushtetuese janë tepër të vështira, dhe zonja Blackerby thotë se kjo është "një gjë e mirë".

Brezat e hershëm të amerikanëve punuan gjatë gjithë jetës së tyre për liritë individuale dhe një qeveri të kufizuar, duke paralajmëruar se vigjilenca do të ishte e nevojshme për të ruajtur lirinë për brezat e ardhshëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG