Lidhje

Kushtetuta e re e Rusisë do të heshtë më tej mendimin ndryshe


Njerëzit mblidhen për të mbledhur firmat për anulimin e rezultateve të votimit për amendimin e Kushtetutës (Moskë, 15 korrik 2020). Mbi maskat është shkruar fjala "jo".
Njerëzit mblidhen për të mbledhur firmat për anulimin e rezultateve të votimit për amendimin e Kushtetutës (Moskë, 15 korrik 2020). Mbi maskat është shkruar fjala "jo".

Jashtë selisë në Moskë të Shërbimit Federal të Sigurisë javën e kaluar, disa nga gazetarët më të shquar të Rusisë protestuan kundër arrestimit të Ivan Safronov, një ish-gazetar i akuzuar për tradhti. Disa prej tyre u ndaluan për pak kohë.

Nëse kjo do të ndodhte në Shtetet e Bashkuara - ose në ndonjë demokraci tjetër perëndimore - zemërimi do të ishte i jashtëzakonshëm, por në Rusi, lufta për të drejtat e mediave të informimit është bërë rutinë.

Kjo betejë pritet të bëhet më e vështirë, pasi Rusia më 1 korrik vendosi të miratojë ndryshimet në Kushtetutën e saj që do t'i lejojnë qeverisë së Presidentit Vladimir Putin të shtojë presionin mbi lirinë e fjalës.

Ivan Safronov
Ivan Safronov

I njëjti votim që i lejoi Putinit të rifillojë mandatet e tij presidenciale dhe mundësinë të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2036, gjithashtu krijoi një seri boshllëqesh ligjore për ndalimin kushtetues të censurës përmes mbrojtjes së "të vërtetës historike", si dhe vendosi ndalimin e dhënies së territorit rus fuqive të huaja, dhe përcaktoi martesën si një akt ligjor vetëm mes një burri dhe një gruaje.

Deputetët rusë thanë se ata tani do të ndryshojnë rreth 100 ligje dhe do të miratojnë disa ligje të reja në mënyrë që legjislacioni të harmonizohet me ndryshimet kushtetuese.

Ekspertët dhe kritikët e mediave thonë se ndryshimet mund të përdoren për të heshtur më tej kritikën ose debatin për çështje të tilla si aneksimi i Krimesë nga Rusia, ose për të inkurajuar autoritetet të reagojnë më ashpër ndaj disidencës.

Frika se votimi do të shkaktonte një rënie të re për lirinë e shtypit duket se tashmë është materializuar.

Që nga përfundimi i votimit në 1 korrik, është arrestuar zoti Safronov dhe është dënuar Svetlana Prokopyeva, një gazetare që kontribuonte për Radion Evropa e Lirë / Radio Liria, për "justifikimin e terrorizmit" mbi një koment të botuar vitin e kaluar në lidhje me sulmet terroriste në Rusi. Organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut e quajtën akuzën "false" dhe e përshkruan çështjen kundër saj si një përpjekje për të frikësuar gazetarët.

Akuzat për zbulim sekretesh shtetërore

Autoritetet e akuzuan zotin Safronov, një këshilltar për agjencinë hapësinore të Rusisë, i cili më parë ka punuar për gazetat "Kommersant" dhe "Vedomisti", për dhënien e sekreteve ushtarake Republikës Çeke, një akuzë që ai e mohon. Avokati dhe përkrahësit e tij thonë se akuzat janë sajuar.

"Regjimi filloi të veprojë me ashpërsi dhe do të vazhdojë të veprojë edhe më ashpër. Presioni ndaj mediave mund të intensifikohet. Me shumë gjasa, mundësitë e financimit për shumë media dhe blogerë të pavarur rusë do të ndërpriten", i tha Zërit të Amerikës Alexander Morozov, një ekspert nga Qendra "Boris Nemtsov" për Studimin e Rusisë, në Universitetin Charles në Pragë.

Policia duke arrestuar protestuesit kundër ndryshimeve kushtetuese
Policia duke arrestuar protestuesit kundër ndryshimeve kushtetuese

Kushtetuta ruse zyrtarisht e ndalon censurën, por kjo nuk i ka ndaluar autoritetet të përndjekin gazetarët kritikë dhe të pavarur.

"Ndryshimet reflektojnë një tendencë që ekziston në praktikë, në politikën dhe legjislacionin rus për gati 20 vjet", tha Andrei Richter, i cili është profesor për studimin e mediave në Sllovaki dhe është ish-drejtor i Institutit për Mediat dhe Politikat Legjislative në Moskë.

"Ashtu si në kohët e Bashkimit Sovjetik, qeveria konfirmon monopolin e saj mbi të vërtetën", tha ai. "Monopoli në këtë rast nënkupton të vërtetën e njohur nga qeveria dhe asgjë tjetër përveç asaj të vërtete. Ajo që është e rëndësishme për qeverinë këtu është nëse e kaloni vijën që ka vendosur për ju për çështjet e lirisë së fjalës".

Diskutimi i mosmarrëveshjeve territoriale

Me ndalimin e "tjetërsimit të territorit rus" - një ndryshim që i ndalon liderit rus t'i japë territor një vendi të huaj - kjo frazë mund të shërbejë për diskutimin e mosmarrëveshjeve territoriale.

Duma e Shtetit, dhoma e ulët e parlamentit të Rusisë, po propozon një ligj që do ta bënte shkelje penale diskutimin për mosmarrëveshjet ndërkombëtare. Nëse miratohet, gazetarët mund të rrezikojnë ndjekjen penale nëse raportojnë për çdo gjë që kundërshton ose vë në dyshim versionin e Rusisë për Krimenë.

Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014, një lëvizje që komuniteti ndërkombëtar e dënoi dhe që nuk e njeh. Rusia gjithashtu ka mbështetur luftëtarët separatistë në lindje të Ukrainës, në Moldavi dhe në Gjeorgji.

E njëjta vlen edhe për raportimin mediatik për martesat e të njëjtit seks, i cili nën ndryshimet e reja vlerësohet si antikushtetues.

Tanya Lokshina, drejtore e asociuar në divizionin e Evropës dhe Azisë Qendrore në organizatën e të drejtave të njeriut Human Rights Watch, tha se amendamenti "mishëron" pikëpamjet konservatore.

"Ky është një gjest simbolik që logjikisht rrjedh nga përpjekjet për të diskriminuar komunitetin homoseksual", tha ajo. "Fillimi i këtij ndryshimi para-qeveritar ishte miratimi, në nivelin federal, i 'ligjit për propagandën gay' në vitin 2013. Sipas këtij ligji, shtypi mund të mbajë përgjegjësi".

Që nga hyrja në fuqi e ligjit të vitit 2013, disa faqe në internet që ofrojnë informacion dhe këshilla për çështje homoseksuale janë mbyllur.

Amendamentet mbi "të vërtetën historike" dhe për mos-zvogëlimin e "veprave heroike të popullit rus në mbrojtje të Atdheut" reflektojnë gjithashtu një tendencë më të gjerë.

Historia ruse e kohës së luftës

Mediat shtetërore kanë përsëritur komentet e zotit Putin për rolin e Evropës në Luftën e Dytë Botërore, përfshirë komentet e tij se përplasja midis Evropës dhe Adolf Hitlerit çoi në luftë.

Diskutimi për veprimet dhe strategjinë e Rusisë gjatë luftës ka zemëruar më parë dëgjuesit dhe shikuesit "patriotë" dhe çoi në hetime zyrtare.

Në vitin 2014, për shembull, zyra e prokurorit të Shën Pjetërburgut hetoi Dozhd TV për shkelje të mundshme, pasi kanali mbajti në transmetim një studim për rrethimin 900-ditor nga Hitleri të qytetit Leningrad që mori jetët e 800'000 civilëve përpara se ushtria ruse të çlironte qytetin. Çdo gjë që mund të perceptohet si kritikë, shihet si çnderim i kujtesës së atyre që vdiqën.

Disa rrjete transmetimi e shkëputën kanalin në fjalë, por prokurorët nuk gjetën prova të një vepre penale.

Sipas ndryshimeve të reja, kanali mund të përballet me akuza për "zhvlerësim të veprave heroike".

Në përgjithësi, komuniteti i mediave të Rusisë nuk pret që ndonjë gjë e mirë të vijë nga ndryshimet kushtetuese ose ligjet e propozuara.

Svetlana Prokopyeva gjatë një seance gjyqësore
Svetlana Prokopyeva gjatë një seance gjyqësore

"Gazetarët tashmë mbajnë një barrë shumë të rëndë, dhe çështja e Svetlana Prokopyevas është një shembull i kësaj," tha zonja Lokshina. "Qeveria u jep mesazhin gazetarëve rusë se çdo diskutim në lidhje me terrorin ose vënien në pikëpyetje nëse autoritetet kanë të drejtë mund të konsiderohet si 'justifikim i terrorizmit' sipas kodit penal dhe do munden ta shkatërrojnë kështu plotësisht jetën e një personi".

Situata e zonjës Prokopyeva

Kjo është situata në të cilën Prokopyeva e gjen veten, tha Tanya Lokshina. Derisa të mos pastrohet historiku i saj penal, ajo do të mbetet në një listë të terroristëve dhe ekstremistëve, do të bllokohet llogaria e saj bankare dhe do të vendoset në listën e personave të cilëve u ndalohet udhëtimi.

"Kjo mund t'i ndodhë kujtdo që i lejon vetes të flasë në mënyrë të pafavorshme për qeverinë", tha zonja Lokshina.

Disa aktivistë dhe ekspertë për të drejtat e njeriut i shohin rastet e zonjës Prokopyeva dhe zotit Safronov si një sinjal drejtuar shtypit për pasoja të shpejta dhe të ashpra në rast mosbindjeje.

Të tjerë, përfshirë zotin Morozov të Universitetit të Pragës, thanë se metoda që Putini përdori për të "marrë peng" Kushtetutën mund të shihet nga organet e zbatimit të ligjit, dhe kushdo që dëshiron të shtypë kundërshtarët, si një leje për të vepruar me ashpërsi.

"Kohë përpara amendamenteve, shumë subjekte po punonin për kufizime në Rusi. Një grup i konsiderueshëm parlamentarësh e kanë bërë profesionin e tyre të vendosin masa ndaluese, përfshirë edhe për gazetarët", tha Morozov. "Mënyra se si ndodhi reforma kushtetuese ua zgjidh duart këtyre subjekteve: Nëse ato kufizoheshin disi përpara miratimit të këtyre ndryshimeve, tani ata kanë leje të plotë".

Fakti që Putini vendosi thjesht të "rifillonte" mandatet e tij të mëparshme sesa të gjente një mënyrë më komplekse për të mbetur në detyrë, mund të sinjalizojë që autoritetet tani do të jenë të prirur për taktika të thjeshta dhe të ashpra, thotë studiuesi i shkencave politike.

"Për të zbatuar të gjitha normat qartësisht ideologjike që janë parashtruar tani në Kushtetutë, ata do të miratojnë ligje të reja ku dënimi do të futet ose do të intensifikohet për ata që nuk i zbatojnë këto standarde", tha zoti Morozov. "Dhe secila media do të pyesë veten nëse e ka tepruar duke botuar diçka të debatueshme".

Qëndrimi më i ashpër nga autoritetet tashmë është parë në përgjigjen ndaj kritikave për arrestimet e zotit Safronov dhe zonjës Prokopyeva.

Kur Rebecca Ross, zëdhënëse e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Moskë, bëri thirrje në Twitter se arrestimet dukeshin "si një fushatë e bashkërenduar kundër lirisë së shtypit (#MediaFreedom)", Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë u përgjigj: "Shikoni punën tuaj."

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG