Lidhje

Rëndësia e kuvendeve partiake për zgjedhjet presidenciale


Kuvendet kanë si synim t’u japin energji përkrahësve të secilës parti

Çdo katër vjet në Shtetet e Bashkuara, kuvendet kombëtare të partive politike mbahen për të prezantuar zyrtarisht kandidatët presidencialë tek amerikanët. Në fillim kandidatët e partive për president zgjidheshin me negociata të fshehta, larg syve të publikut. Ndërsa sot kuvendet janë kryesisht ceremoniale. Kjo ka bërë që të shtrohet pyetja, a janë ato më të nevojshme?

Ashtu si një bilbil që jep sinjalin për fillimin e një loje futbolli, kuvendet janë shenja se loja e vërtetë po fillon. Energjia intensive duhet të përshkojë 10 javët e fundit të fushatës presidenciale në Shtetet e Bashkuara.

Në të kaluarën, kuvendet politike karakterizoheshin nga intriga dhe konflikte. Madje edhe nga dhuna. Në vitin 1968 protestuesit kundër luftës ishin në qendër të vëmendjes në kuvendin e demokratëve.



Por tani, kuvendet partiake janë thjesht festa të mëdha. Të gjithë e dinë se cilët janë kandidatët.

Kjo për arsyen sepse zgjedhjet brenda partisë në shtete, ashtu si eliminatoret e Kampionatit Botëror të Futbollit, e kanë përcaktuar se cilët ia kanë dalë për betejën përfundimtare. Këtë vit, demokrati, Presidenti aktual Barack Obama do të përballet me republikanin Mitt Romney. Të papriturat mund të jenë të pakta ose joekzistente. John Hudak është me Institutit Brookings.

“Të gjithë duken të ngjashëm përsa u takon politikave që mbështesin”.

Uniteti i ekipit ka një çmim të lartë. Çdo parti politike merr 18 milionë dollarë nga taksapaguesit që vendosin të dhurojnë tre dollarë nga taksat e tyre për fushatat. Kuvendet pritet t’i kushtojnë secilës parti mbi dyfishin e kësaj shifre – 40 milionë dollarë. Disa thonë se këto fonde duhen shpenzuar ndryshe. Richard Savage është këshilltar politik.

“Njerëz që janë të qendrës ose të pavarur, mund ta shohin këtë si shpërdorim parash, por për shumë nga ata që punojnë në fushatë duke bërë telefonata, ose duke shkuar derë më derë, kuvendi është shpërblimi për lodhjen”.

Ndonjëherë në Kuvende prezantohen fugura të reja por me perspektivë të partisë. Barack Obama vetë, tërhoqi vëmendjen në shkallë kombëtare si folësi kryesor në kuvendin e demokratëve në vitin 2004.

“Nëse jeton jashtë Shteteve të Bashkuara dhe nuk e ndjek politikën amerikane nga afër, kjo të mundëson të shikosh se kush janë figurat e reja në ngritje”.

Por përfitimi falas në kuvende vjen pasqyrimi i tyre në televizion. Rrjetet televizive mbulojnë secilin kuvend dhe japin analiza të hollësishme të kandidatëve, gjë që siç thotë Norman Ornstein i Institutit American Enterprise, është diçka e çmuar.

“Është mbulim falas. Nuk ke nevojë të paguash për reklama kur rrjetet televizive pasqyrojnë mesazhin që partitë duan të përçojnë, për orë të tëra”.

Dhe ashtu si në futboll, ai që bën më shumë gola, fiton. Për kandidatët synimi është që të bëhen banorë të Shtëpisë së Bardhë. Por se cilët do të jenë banorët e saj për katër vitet e ardhshme nuk do dihet deri më 6 nëntor kur mbahen zgjedhjet.
XS
SM
MD
LG