Lidhje

LDK, AAK i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit


LDK, AAK i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit
LDK, AAK i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit

Tridhjetë e katër deputetë të Parlamentit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dorëzuan sot pasdite në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën për një opinion rreth procedurës së zgjedhjes së presidentit të Kosovës Behgjet Pacolli. Parlamenti i Kosovës zgjodhi të martën e kaluar me 62 vota për, 4 kundër dhe një votë të pavlefshme, Behgjet Pacollin, kryetarin e deritashëm të Aleancës Kosova e Re, në postin e presidentit të Kosovës.

Ai u zgjodh në raundin e tretë të votimeve pasi që në dy raundet e para ai mori 54, përkatësisht 58 vota. Zgjedhja e tij pasoi një kërkesë të Partisë Demokratike të Kosovës për një këshillim gjë që u kundërshtua nga kryetari i Parlamentit Jakup Krasniqi i cili tha se pushimi ndërmjet raundeve të votimeve është kundër kushtetutës dhe në funksion të trysnisë ndaj deputetëve. Procedura e votimit është arsyeja e kërkesës për opinionin e Gjykatë Kushtetuese, tha Vjosa Osmani, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Këtu ne po e kontestojmë procedurën e zgjedhjes, janë tri argumente kryesore të cilat natyrisht në momentin kur të pranohen nga gjykata, ajo do të vendos edhe për publikimin e tyre”, tha ajo.

Zonja Osmani la të hapur mundësinë edhe për një kërkesë të re në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e votimit të qeverisë nga presidenti Pacolli pas zgjedhjes së tij si president i vendit.

Nuk ka pasur një reagim të menjëhershëm të kabinetit të presidentit apo të partnerëve të koalicionit qeverisës, të cilët në paralajmërimet e deritashme kanë theksuar se janë të gatshëm të përballen me Gjykatën Kushtetuese.

Zgjedhja e presidentit pasoi marrëveshjen ndërmjet Partisë Demokratike të kryeministrit Hashim Thaçi dhe Aleancës Kosova e Re të presidentit Behgjet Pacolli për krijimin e koalicionit qeverisës. Kjo marrëveshje e cila ka nxitur mospajtime edhe brenda Partisë Demokratike, është kundërshtuar nga opozita.

Kjo është hera e dytë që Gjykata Kushtetuese shqyrton çështje që kanë të bëjnë me presidentin e vendit. Në shtator të vitit të kaluar ajo nxori përfundimin se ish presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, kishte shkelur kushtetutën duke mbajtur dy poste njëherësh, atë të presidentit të vendit dhe të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pas atij vendimi, presidenti dha dorëheqje, gjë që kushtëzoi zgjedhjet e parakohshme në Kosovë.

XS
SM
MD
LG