Lidhje

Intervistë me gazetarin Leon Menkshi


Programi i Shkëmbimeve Fullbright sjell në Shtetet e Bashkuara njerëz nga e gjithë bota dhe Shqipëria është ndër vendet që prej vitesh përfiton nga ky program prestigjioz, i cili e merr emrin nga senatori amerikan J. William Fulbright. Gazetari nga Shqipëria, Leon Menkshi ka ardhur në Universitetin e Merilendit pranë Uashingtonit për të parë nga afër përvojën amerikane.

Me gazetarin Leon Menkshi
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:35 0:00

Gazetari Menkshi, i cili ka ardhur këtu me një bursë të quajtur Humphrey, pjesë e programit Fullbright, thotë se programi i ka dhënë mundësi të njihet me mënyrën se si funksionon media në Amerikë:

"Gazetaria amerikane funksionon shumë ndryshe nga gazetaria shqiptare, duke nisur që nga modeli i përzgjedhur për të informuar publikun. Është gjithashtu interesante të kuptosh se çfarë aspektesh sjellin gazetarët amerikanë në edicionet informative dhe çfarë temash ata prekin për ta mbajtur audiencën të mbërthyer tek ekrani dhe për të informuar publikun", thotë ai.

Lucinda Fleeson, në Kolegjin e Gazetarisë Merrill pranë Universitetit të Merilendit, drejton programin e bursave Humphrey. Ajo ka qenë vetë gazetare dhe ka punuar për të përditshmen The Philadelphia Inquirer.

"Atyre u ofrohet mundësia për të bërë disa kurse këtu në kolegjin e gazetarisë si dhe marrin pjesë në një seminar të premteve. Aty ne flasim për tema të tilla si qeveria amerikane, diversiteti në Amerikë, roli drejtues në redaksinë e lajmeve si dhe organizojmë udhëtime. Ne sapo jemi kthyer nga Nju Jorku ku vizituam redaksi të mediave të njohura si Bloomberg, Nju Jork Tajms dhe NBC".

Gazetari Leon Menkshi mendon se vizitat e tij në mediat amerikane kanë qenë me vlerë:

"Nëpër televizionet ku kam shkuar, kam asistuar në disa mbledhje të redaksive, më bëri përshtypje se dëgjohej mendimi i gazetarit; nuk kishte diktat përsa i përket linjës editoriale, pra se çfarë do të dëshironte drejtori i lajmeve që të prezantonte në edicion. Atje merreshin për bazë idetë e vetë profesionistit, të vetë gazetarit që do të prodhonte një material për edicionin e lajmeve. Kishte një besim të plotë dhe respektim të plotë të lirisë së informimit dhe të lirisë së ushtrimit të profesionit pa asnjë lloj ndikimi".

Zoti Menkshi e ka ndjekur median amerikane edhe gjatë fushatës presidenciale vitin e kaluar për të parë se si funksionojnë gazetarët në një atmosferë politikisht të ngarkuar:

"Preferencat politike edhe këtu janë të qarta, por ato nuk janë të dukshme ose të ndjeshme kur vjen puna e raportimit dhe mënyrës se si pasqyrohen. Ata raportojnë me objektivitet. Është tjetër gjë të kesh një opinion për diçka dhe tjetër të influencosh përmes opinionit që ti ke. Kjo gjë nuk ndodh sepse respektohen parimet bazë të gazetarisë. Nuk respektohen thjesht sepse mbikqyren, por sepse gazetarët kanë bërë atë shkollë dhe duan që të mos kompromentohen në profesionin e tyre, të ruajnë paanshmërinë dhe transparencën përsa i përket informimit".

"Konkurrenca këtu është shumë e madhe por edhe hapësira dhe liria për gazetarët është shumë e madhe dhe mundësitë janë të shumta. Mundësia për të prezantuar veten dhe për të avancuar në profesion është gjithashtu e madhe.
Zoti Menkshi përgatitet të kthehet në Shqipëri me një bagazh të ri njohurish".


Por ai mendon se parimet që ka parë të zbatohen në gazetarinë amerikane ndeshen me sfida në Shqipëri:

"Është fatkeqësi të mendosh që shumica e emërimeve dhe pozicioneve drejtuese në median shqiptare kanë një prapavijë politike. Menaxhimi i mediave në Shqipëri lihet në duart e militantëve. Por janë profesionistët e vërtetë ata që nuk kompromentojnë profesionin dhe do të sjellin një frymë tjetër në gazetarinë shqiptare".

"Më ka bërë përshtypje fakti që gazetarët në Amerikë arrijnë ta bëjnë emrin e tyre nga mënyra se si i afrohen audiencës dhe se si raportojnë. Këtë e arrijnë jo duke i pëlqyer njërës apo tjetërs anë të politikës por duke ruajtur në mënyrë strikte kodin e etikës profesionale të gazetarisë", thotë gazetari.

Ai shton se nëse nuk do të tradhtohen dhe do të respektohen parimet e gazetarisë në Shqipëri, atëherë edhe niveli dhe standardi i medias do të vijë atje ku duhet, për të bërë një ndryshim vërtet rrënjësor dhe shumë të dëshiruar në shoqërinë shqiptare.
XS
SM
MD
LG