Lidhje

Objektivi i lëvizjes ‘Zaptimi’ pa një program


17 shtatori shënon një vjetorin e fillimit të lëvizjes "Zaptimi i Uoll Stritit" në qytetin e Nju Jorkut, me një seri të gjatë kërkesash, por pa asnjë program specifik për të bërë realitet ndonjërën prej tyre. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Peter Fedynsky i hedh një vështrim vitit të parë të kësaj lëvizjeje pa udhëheqës.

Kur lëvizja ‘Zaptimi’ mbushi parkun Zuccotti, afër Uoll Stritit, banorët aty pranë protestuan kundër zhurmës që bënin pjesëmarrësit me daullet e tyre, duke e cilësuar si të padurueshme. Ky pjesëmarrës kundërshtoi protestën e banorëve.

“Ne jemi këtu për të mbështetur një lëvizje! Ata që i bien daulleve e ndihmojnë këtë lëvizje!”

Lëvizja u përhap në gjithë botën, por nuk ka pasur ndonjë revolucion. Megjithëse protestat e lëvizjes ‘Zaptimi’ shpëtuan disa shtëpi nga falimentimi, ato nuk kanë arritur ndonjë prej kërkesave po aq të dëshpëruara sa edhe vetë pjesëmarrësit, duke përfshirë rregulla më të forta bankare, reformimin e financimit të fushatave elektorale, një mjedis më të pastërt ose liri për Tibetin.

Sidiqoftë, profesori i sociologjisë në Universitetin Columbia, Todd Gitlin thotë se mesazhi i lëvizjes rreth një elite të pangopur, që thuhet se është në rrënjë të shumë problemeve globale, ka hyrë në gjuhësi .

“Nëse dikush përdor shprehjen ‘1 për qind’ dhe ‘99 për qind’ pjesa më e madhe e Amerikës e di se për çfarë bëhet fjalë. Këtë shprehje e gjen, për shembull, në artikuj gazetash, që nuk kanë të bëjnë fare me lëvizjen ‘Zaptimi’.”

Brënda disa muajsh, policia në gjithë vendin shpërndau protestat nga zonat publike. Sot, prania fizike e përditshme e kësaj lëvizjeje është reduktuar në vetëm pak vullnetarë që bisedojnë me kalimtarët në parqe ose trotuare. Justin Stone-Diaz ka qënë pjesë e lëvizjes ‘Zaptimi’ që prej fillimit. Ai thotë se ndryshime të vogla janë të rëndësishme.

“Revolucioni është teknologjia që e kanë të gjithë, telefonat cellular, epoka e informacionit. Lëvizja Zaptimi i Uoll Stritit në thelb është përpjekur të nxisë një ndryshim të qartë drejt një demokracie më të drejtpërdrejt”.

Stone-Diaz thotë se protestuesit e kësaj lëvizjeje e përhapin tani mesazhin e tyre me mjete elektronike. Kur është nevoja, grupe më të mëdha mblidhen, siç vepruan në të dyja kuvendet e partive politike në Shtetet e Bashkuara.

Sociologu Todd Gitlin thotë se anketat e opinionit lenë të kuptohet se amerikanët mbështesin kauzat e ‘Zaptimit’ më tepër se sa vetë lëvizjen.

“Kur njerëzit pyeten se si ndjehen rreth çështjeve të tilla si taksimi progresiv, nxjerrja e parave nga politika dhe çështje të tilla, ato vazhdojnë të jenë kauza popullore”.

Sot parku Zuccotti është përsëri një qendër për të pushuar dhe për të ngrënë. Mbetet për t’u pare nëse bateristët bënë zhurmë të mjaftueshme për të sjellë rezultate në kauzën e tyre. Justin Stone-Diaz është optimist dhe thotë se lëvizja ‘Zaptimi’ vazhdon të nxisë veprime të drejtpërdrejta nëpërmjet dialogut.
XS
SM
MD
LG