Lidhje

Arsimimi i fëmijëve refugjatë sirianë


Zyrtarët e Kombeve e Bashkuara thonë se një e treta e refugjatëve sirianë që kanë hyrë në Liban, janë nxënës shkolle. Shumica janë vendosur në Liban më shumë se një vit më parë, shumë të tjerë edhe më parë. Shumica nuk kanë mundësi të ndjekin shkollën e rregullt.

11 vjeçarja Marah jeton në Liban që prej një viti e gjysmë dhe banon në strehimet e ngritura për refugjatët, pranë qytetit bregdetar të Tripolit. Ajo, së bashku me prindërit dhe katër vëllezër dhe motra të tjerë, u largua nga periferitë e Homsit në Siri, pasi shtëpia e tyre në fermë u godit nga një sulm me raketë.

Ata jetojnë tani në një shtëpi të vogël me dy dhoma, të ndërtuar me materiale të parafabrikuara ndërtesash dhe është më me fat se sa motrat dhe vëllezërit e saj, pasi ajo shkon në shkollë.

Ajo thotë se është e vështirë të ndryshosh nga programi mësimor sirian, bazuar në arabisht në programin libanez, bazuar në frengjisht. Ajo përpiqet të shoqërohet me fëmijët libanezë, por hera herës ata tallen me të dhe nxënës së tjerë sirianë meqë janë refugjatë.

Megjithë problemet, të paktën 11 vjeçarja ka shansin të realizojë ëndërrën e saj për t’u bërë infermiere. Në vendbanimin e saj në Liban janë 200 familje dhe ajo është mes atyre pak fëmijëve që ndjek shkollën.

Nevojat për refugjatët janë urgjente, nga ushqimet tek ilaçet, dhe ato tërheqin vemendjen e medias dhe të organizatave humanitare, por me zgjatjen e luftës civile në Siri, nevojat e refugjatëve bëhen më serioze. Mungesa e arsimit për fëmijët refugjatë është shqetësuese për përfaqësuesen e komisariatit të lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët në Liban, Ninette Kelley.

“Gjendja e fëmijëve është e vështirë. Janë mbi 300 mijë fëmijë sirianë në moshën e shkollës, numër ky sa ai i fëmijëve libanezë që u rregjistruan në shkollë vitin e kaluar. Ndërsa ministria e arsimit ka thënë se mund të dërgojë në shkollë 100 mijë fëmijë, 200 mijë të tjerë nuk janë në gjendje të ndjekin shkollën rregullisht”.

Kombet e Bashkuara, së bashku me partnerët e tye të organizatave jo qeveritare po përpiqen tani t’u japin mësimet bazë fëmijëve në tendat e ngritura në vendbanimet e tyre, pasi qeveria libaneze refuzon të japë leje për ndërtimin e kampeve të mirëfilltë të refugjatëve.

Kombet e Bashkuara thonë se tani ka mbi 248 vendbanime të tilla në gjithë vendin. Zonja Kelley thotë se mësimet që jepen tani në kampe nuk do të plotësojnë nevojat e fëmijëve më të rritur.

“Ka mjaft fëmijë që kanë ndjekur shkollat dhe kurset e tanishme nuk janë të mjaftueshme për ta. Prandaj ne po bashkëpunojmë me mësuesit refugjatë sirianë dhe të tjerë në komunitet për të dhënë mësime të niveleve të ndryshme për të gjitha grupmoshat. Por kjo është një sfidë e madhe”.

Punonjës të Kombeve të Bashkuara thonë se sigurimi i fondeve për arsimin informal që po shqyrtohet është sfidë më vete. Një tjetër problem është se rreth një milionë refugjatët që ndodhen tani në Liban janë shumë të shpërndarë, gjë që krijon probleme për transportin dhe organizimin e tyre.
XS
SM
MD
LG