Lidhje

Libi, kryengritësit përpiqen të marrin qytetin Axhabia


Libi, kryengritësit përpiqen të marrin qytetin Axhabia
Libi, kryengritësit përpiqen të marrin qytetin Axhabia

Në Libi, forcat e Moamar Gadafit goditën me artileri kryengritësit që po rigrupoheshin pranë qytetit strategjik Axhabia duke i detyruar një pjesë të tyre të shpërndaheshin. Sipas dëshmitarëve okularë, kryengritësit u larguan me makina dhe kamionë kur ranë nën zjarrin e forcave të regjimit por më vonë u rikthyen dhe u grumbulluan në të njëjtën zonë.

Kryengritësit po përpiqen të marrin në dorë inciativën tani që forcat e regjimit po bombardohen nga sulmet ajrore ndërkombëtare.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara thanë sot se po e përqendrojnë vëmendjen te zgjerimi i zonës së ndaluar për fluturimet në të gjithë Libinë.

Të dielën, sulmet e para të forcave të koalicionit shkatërruan një kolonë tankesh të regjimit që ishin drejtuar për në Bengazi, qytet në lindje që mbahet nga kryengritësit, duke e penguar përparimin e kolonës.

Sot, një grup luftëtarësh të armatosur rëndë u mblodhën në periferi të qytetit Axhabija me 140 mijë banorë, duke thënë se ishin gati ta rimerrnin qytetin e rrethuar nga forcat besnike të Gadafit.

Qyteti Axhabia është porta e hyrjes për në rajonet perëndimore të vendit ku ndodhet edhe kryeqyteti Tripoli.

Disa nga luftëtarët, të armatosur me armë automatike, granatahedhës dhe me mortaja të montuara në kamionë, po përgatiten të sulmojnë periferitë e qytetit dhe të luftojnë me forcat e Gadafit.

"Ne duam t’i nxjerrim trupat e Gadafit nga Axhabija sepse ata po vrasin civilët. Shumë shpejt do të hyjmë në qytet,” thotë Kaled Hamid, një prej luftëtarëve.

Forcat e koalicionit e bombarduan Libinë për të tretën natë radhazi duke e penguar përparimin e trupave të Gadafit dhe duke u dhënë më tepër inciativë kryengritësve, të cilët javën e kaluar ishin në prag të disfatës.

Megjithatë, njësitë më të organizuara të tyre ende nuk janë gati dhe mungesa e organizimit brenda opozitës nënvizon paralajmërimet amerikane se gjendja mund të mbetet e bllokuar për një kohë të gjatë.

Deri tani, bombardimet e aleatëve janë përqendruar te shkatërrimi i mbrojtjes ajrore libiane por synimet e koalicionit ndërkombëtar do të vihen në provë kur me goditjet ajrore dhe raketat kruz të hedhura nga anijet ata do të përpiqen të thyejnë rrethimin e Axhabias dhe Misratës, një qytet pranë Tripolit, duke vënë në shënjestër forcat e Gadafit që i mbajnë ato të rrethuara.

XS
SM
MD
LG