Lidhje

Libia kërcënohet nga trazira më të thella politike


Libia u përfshi nga trazira më të thella politike dje, kur Kongresi i vendit u dorëzua para kërkesave të milicive revolucionare dhe votoi për heqjen nga postet të zyrtarëve të periudhës së Gadafit, edhe nëse këta individë kishin kontribuuar në rrëzimin e diktatorit.

Milicitë revolucionare në Libi po festojnë atë që e kanë cilësuar si “korrigjim të revolucionit. Ata brohorisnin dhe kërcenin, pas marrjes së lajmit se Kongresi i Përgjithshëm Kombëtar kishte votuar për të larguar nga postet zyrtarët e periudhës së Gadafit.

Për një javë, anëtarë të grupeve paraushtarake në të gjithë vendin kanë rrethuar ministritë në përpjekje për të bërë presion për miratimin e ligjit që ndalon pjesëmarrjen në qeveri, Kongres apo administratë të zyrtarëve të periudhës së Gadafit.

45-vjeçari Abu Ali ishte një ndër ata që festonin:

"Duam të izolojmë personat që udhëhiqnin qeverinë së bashku me Gadafin, nuk i duam më këta individë. Duam të rindërtojmë një Libi me mendje të reja, me njërëz që duan Libinë, jo Gadafin. Unë kam luftuar, shumë miq të mi vdiqën në revolucion”.

Por ndërkohë që grupet paraushtarake festonin, të tjerët shqetësoheshin. Shumë anëtarë të Kabinetit do të detyrohen të japin dorëheqjen, ndër ta edhe presidenti i Kongresit Mohamed Magarief, i cili ishte ambassador gjatë regjimit të Gadafir, para se të prishte marrëdhëniet me të dhe të drejtonte revoltën për rrëzimin e diktatorit.

Nuk është i qartë fati i kryeministrit Ali Zeidan. Ai ishte për shumë vite diplomat gjatë regjimit të Gadafir, por mund të mos preket nga dispozitat e ligjit. Megjithatë disa islamistë kërkojnë largimin e tij nga posti.

Shumë anëtarë të kabinetit janë detyruar të japin dirëheqjen, përfshirë Ministrin e Brendshëm, si dhe disa ligjvënës të moderuar.

Diplomatët perëndimorë paralajmëruan se kjo masë, që ka qenë në debat prej javësh, është një “grusht shteti ligjor” dhe do të fuqizojë Vëllazërinë Myslimane dhe partitë e vogla islamiste.

Politikani dhe gazetari Abdulrahman Shater shqetësohet se e ardhmja e Libisë do të jetë një shtet në një gjendje të mungesës kronike të rregullit dhe ligjit:

"Ata kanë më shumë fuqi se Ministria e Brendshme apo Ministria e Mbrojtjes, pasi kanë armë. Ata kanë më shumë pushtet se institucionet shtetërore. Disa prej tyre duan të jenë në qeveri, disa duan të jenë në ambasada, disa të tjerë duan të pasurohen. Kam shkruar disa herë me paralajmërimin se revolucioni do të vidhet”.

Në ditët para votës së të dielës, zoti Zeidan dhe ministrat e tij u bënë thirrje libianëve të mbështesin qeverinë, por kjo nuk ndodhi. Qeveria e kryeministrit Zeidan nuk ka gëzuar popullaritet për shkak të ritmeve të ngadalta të ndryshimeve.

Vetëm 200 vetë u mblodhën në një tubim të shtunën, një numër i pamjaftueshëm për të ndihmuar situatën në favor të qeverisë.
XS
SM
MD
LG