Lidhje

Libri: Shefi i shtabit frikë se ish-Presidenti Trump mund të urdhëronte sulm ndaj Kinës


Gjenerali Mark Milley, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara
Gjenerali Mark Milley, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara

UASHINGTON - I frikësuar nga veprimet e Donald Trump-it në javët e tij të fundit si president, oficeri më i lartë ushtarak i Shteteve të Bashkuara e siguroi dy herë homologun e tij kinez se dy vendet nuk do të hyjnë në luftë, thuhet në një libër që do të botohet së afërmi.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Mark Milley i tha gjeneralit Li Zuocheng të Ushtrisë Çlirimtare Popullore se Shtetet e Bashkuara nuk do të sulmonin. Një telefonatë u bë më 30 tetor 2020, katër ditë para zgjedhjeve në të cilat humbi ish-Presidenti Trump. Telefonata e dytë ishte më 8 janar 2021, vetëm dy ditë pas sulmit në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara nga mbështetësit e kreut të ekzekutivit në largim.

Gjenerali Milley shkoi aq larg sa i premtoi homologut Li se do ta paralajmëronte në rastin e një sulmi amerikan, thuhet në librin "Peril", shkruar nga gazetarët e gazetës Washington Post, Bob Woodward dhe Robert Costa.

"Gjeneral Li, dua t'ju siguroj se qeveria amerikane është e qëndrueshme dhe gjithçka do të jetë në rregull", i tha Milley në telefonatën e parë, sipas librit. "Ne nuk do të sulmojmë ose kryejmë ndonjë operacion kinetik kundër jush".

"Nëse do të sulmojmë, do t'ju telefonoj para kohe. Nuk do të jetë surprizë", citohen në libër fjalët e Gjeneralit Milley.

Pasazhet nga libri, i cili do të dalë javën e ardhshme, u raportuan për herë të parë nga gazeta The Washington Post të martën.

Telefonata e dytë kishte për qëllim të qetësonte frikën e kinezëve për ngjarjet e 6 janarit. Por libri raporton se Li nuk u qetësua aq lehtë, edhe pasi Milley i premtoi atij se "ne jemi 100 përqind të qëndrueshëm. Çdo gjë është në rregull. Por demokracia ndonjëherë mund të jetë e çrregullt”.

Gjatë sulmit të 6 janarit në shkallët e Kapitolit
Gjatë sulmit të 6 janarit në shkallët e Kapitolit

Gjenerali Milley besonte se presidenti pësoi një përkeqësim mendor pas zgjedhjeve, duke u pajtuar me një pikëpamje të ndarë nga kryetarja e Dhomës Nancy Pelosi në një telefonatë që ata patën më 8 janar, sipas zyrtarëve.

Zonja Pelosi kishte thënë më parë se ajo foli me Gjeneralin Milley atë ditë për "masat paraprake në dispozicion" për ta parandaluar ish-Presidentin Trump të fillonte veprime ushtarake ose të urdhëronte goditje bërthamore, dhe ajo u tha kolegëve se i ishin dhënë garanci të paspecifikuara se ekzistonin masa të hershme mbrojtëse.

Gjenerali Milley, sipas librit, i telefonoi admiralit që mbikëqyr Komandën amerikane për rajonin Indo-Paqësor, njësinë ushtarake përgjegjëse për Azinë dhe rajonin e Paqësorit dhe rekomandoi shtyrjen e stërvitjeve të ardhshme ushtarake. Ai gjithashtu u kërkoi oficerëve të lartë të bënin një "betim" se Milley duhej të përfshihej nëse Trump jepte urdhër për të lëshuar armë bërthamore, thuhet në libër.

Gjenerali Milley u emërua nga ish-Presidenti Trump në 2018 dhe më vonë tërhoqi zemërimin e presidentit kur shprehu keqardhje për pjesëmarrjen në një fotografi me ish-Presidentin Trump në qershor 2020 pasi forcat federale të zbatimit të ligjit larguan protestuesit paqësorë nga një park pranë Shtëpisë së Bardhë në mënyrë që ish-presidenti të qëndronte përpara një kishe të dëmtuar aty pranë.

Më 1 qershor 2020, ish-Presidenti Donald Trump del nga Shtëpia e Bardhë drejt Kishës të Shën Gjonit (ndër shoqëruesit dallohet edhe Gjenerali Milley)
Më 1 qershor 2020, ish-Presidenti Donald Trump del nga Shtëpia e Bardhë drejt Kishës të Shën Gjonit (ndër shoqëruesit dallohet edhe Gjenerali Milley)

Kërkesat për koment nga Gjenerali Milley nuk morën menjëherë përgjigje. Paralajmërimi i dytë i Gjeneralit Milley për Pekinin erdhi pasi ish-Presidenti Trump kishte shkarkuar Sekretarin e Mbrojtjes Mike Esper dhe kishte caktuar në disa poste të larta zyrtarë të përkohshëm besnikë ndaj tij.

Libri gjithashtu ofron njohuri të reja mbi përpjekjet e ish-Presidentit Trump për të mbajtur pushtetin pavarësisht humbjes së zgjedhjeve ndaj demokratit Joe Biden.

Ish-Presidenti Trump refuzoi të pranojë humbjen dhe bëri pretendime të rreme se zgjedhjet ishin vjedhur. Ai vazhdimisht i bëri presion nënpresidentit të tij, Mike Pence, që të refuzonte çertifikimin e rezultatit të zgjedhjeve në Kapitol më 6 janar, proces që u ndërpre më vonë nga turma.

Ish-Nënpresidenti Pence, shkruan libri, i telefonoi Dan Quayle-it, një ish nënpresident dhe koleg republikan nga Indiana, për të parë nëse kishte ndonjë mënyrë që ai të pajtohej me kërkesën e ish-Presidentit Trump. Zoti Quayle tha absolutisht jo.

"Mike, nuk ke fleksibilitet në këtë drejtim. Asnjë. Zero. Harroje. Hiqe nga mendja", tha zoti Quayle, sipas librit.

Nënpresidenti Pence përfundimisht u pajtua. Ai e sfidoi ish-Presidentin Trump për të konfirmuar fitoren e Joe Biden-it.

Ish-presidenti nuk ishte i kënaqur.

"Unë nuk dua të jem më shoku yt nëse nuk e bën këtë", u përgjigj sipas librit ish-Presidenti Trump, duke i thënë më vonë nënpresidentit të tij: "Na ke tradhtuar. Unë të bëra (ky që je). Ti ishe një asgjë”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG