Lidhje

Presidenti Nishani ktheu për rishqyrtim ligjin për arsimin e lartë


Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ktheu sot për rishqyrtim në parlament ligjin e ri për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor të miratuar në fund të korrikut nga ligjvënësit. Zoti Nishani argumentoi se ligji është vendos shtetin dhe jo universitetin e studentët në qendër të këtij ligji.

“Përgjegjësia e shtetit në përcaktimin e ardhshëm të sistemit të karrierës duhet të balancohet me përgjegjësinë e trupës akademike. Shteti nuk është faktori kyç apo aktori kryesor për arsimin e lartë, por trupa akademike, departamenti, fakulteti, pedagogët, studentët, vetë universiteti janë aktorët kyç” - theksoi presidenti Nishani.

Ai shtoi se ligji ka qasje të rritjes së tarifave të studimit, nuk ka të njëjtën qasje sa i takon rolit të studentëve në vendimmarrjen për reformimin e sistemit arsimor.

“Ligji në tërësi nuk është ndërtuar mbi shtyllat të cilat dikton procesi i Bolonjës, nuk ka në themel parimet themelore të diktuara nga Deklarata e Jerevanit sa u takon Universiteteve të së ardhmes dhe rolit të shtetit në këtë proces, por ka orientim etatist, ka paqartësi, dhe në të shumtën e rasteve referon në akte të tjera ligjore dhe nënligjore që i takojnë të ardhmes” - deklaroi zoti Nishani.

Sipas presidencës shqiptare, aktet nënligjore rrezikojnë të kufizojnë autonominë dhe të çojnë në kontroll të tepruar, abuzim, vonesa dhe stanjacion, dhe për më tepër të ekzistojë mundësia edhe e cënimit të parimit të sigurisë juridike. “Përmes këtij ligji rrezikon të kushtëzohet e drejta për arsimin e lartë nga kriteri i pagesës së tarifave të ndryshme të përcaktuara në ligj, por që mund të arrijnë në shifra të larta të papërballueshme për nivelin mesatar të jetesës në Shqipëri” - tha zoti Nishani. Sipas tij, ligji nuk përmban asnjë rregullim mbi tarifat në universitetet publike dhe private dhe shteti nuk merr përsipër të garantojë fonde nga buxheti i shtetit, duke kushtëzuar arsimin e lartë mbi bazën e pagesave të tarifave të larta. Aftësia e studentëve është kriter fillestar për arsimin e lartë dhe shteti ka detyrimin e rregullimit ligjor, i cili mund të ndryshojë në kohë dhe hapësirë, duke marrë në konsideratë nevojat dhe burimet e komunitetit dhe të individëve, duke pasur në konsideratë që në asnjë rast të mos cënojë të drejtën e arsimimit. Sipas tij, tarifat e larta duhet të jenë të justifikuara dhe të bazohen në vendin dhe kohën kur vendosen, por ligji nuk përcakton kriteret mbi të cilat do të vendoset rritja e tyre

Presidenti Nishani theksoi se ligji nuk ka bërë të qarta kushtet dhe skemën për kreditimin studentor, duke krijuar në këtë mënyrë një pasiguri juridike për studentët. Sipas tij, ligji përshkohet në tërësinë e tij nga paqartësia në lidhje me rregullimin e tarifimit, kostove të shkollimit, garantimit dhe mbështetjes të studimeve nga ana e shtetit, akordimit të kredisë studentore. Nga ana tjetër, theksoi zoti Nishani, ky ligj nuk garanton autonominë e institucioneve të arsimit të lartë dhe lirinë akademike, gjë që e cënon edhe konkurrën midis univeristeteve përmes bordit të administrimit.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i ministres së arsimit, Lindita Nikolla. Ajo shprehu keqardhjen për qëndrimin e Presidentit Nishani, duke e quajtur si “një reagim aspak mbi palët”, madje shprehu zhgënjim se “presidenti u bë palë me opozitën”.

Ministrja Nikolla tha se me rivotimin në parlament, “ligji i ri për arsimin e lartë dhe universitetet nuk do të jenë më bajrak i partive politike dhe as tokë e djegur nga disa bajraktërë që duan të mbajnë peng atë”.

XS
SM
MD
LG