Lidhje

Ligjvënësi përshkruan traumën që përjetoi pas sulmeve ndaj Kongresit më 6 janar


Turma duke sulmuar Kapitolin më 6 janar 2021

Pamjet e sulmit të 6 janarit ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara janë rrënjosur në mendjet e amerikanëve dhe mbeten veçanërisht të gjalla për anëtarët e Kongresit, që u bënë dëshmitarë të trazirave. Një nga ligjvënësit ka folur haptazi për traumën mendore që përjetoi gjatë muajve që pasuan. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carolyn Presutti, bisedoi me ligjvënësin dhe përgatiti materialin në vazhdim.

Një gjëmim në rritje, ndërsa turma përpiqej të hynte me forcë në sallën plenare të Dhomës së Përfaqësuesve, paralajmëroi ligjvënësin Dan Kildee për rrezikun me të cilin përballej.

“Ishim të zënë në kurth. Turma po rrethonte hyrjet e llozhave dhe nuk kishim mundësinë të kalonim nga llozhat për në sallë, e cila ishte evakuar”, tregon Ligjvënësi demokrat Dan Kildee.

Ligjvënësi Kildee filmoi me celularin e tij. Një nga xhirimet u paraqit gjatë gjyqit ndaj ish-Presidentit Donald Trump, për të treguar panikun ndërsa turma thyente perimetrin e Kapitolit me synimin për të ndërprerë procesin e çertifikimit të fitores në zgjedhje të Joe Bidenit. Në sfond dëgjohet edhe një e shtënë me armë.

Ishte momenti kur një punonjës policie qëlloi me armë ndaj një protestueseje që po përpiqej të hynte në sallën plenare.

Pas të shtënës, u krijua një mundësi për t’u larguar.

“U mobilizua një njësi taktike. Kjo mundësoi, të paktën për pak momente, që korridori pas nesh të ishte i sigurtë dhe na u dha koha për t’u larguar”, thotë ligjvënësi Kildee.

Pasi policia siguroi Kapitolin, ligjvënësit e të dyja partive u shprehën thellësisht të shokuar. Pak ditë më vonë, ligjvënësi Kildee filloi të përjetojë stres post-traumatik.

“Isha papritmazi shumë i trazuar. Isha në gjendje ankthi, tepër i ndjeshëm ndaj çdo lloj zhurme. Nervat nuk më mbanin”, tregon ai.

Ligjvënësi kërkoi ndihmë nga psikiatri Jim Gordon, autor i librit “Të transformosh traumën”. Dr. Gordon po u bën terapi disa anëtarëve të Kongresit.

“Çdokush që ka kaluar këtë eksperiencë do të ketë efekte të mbetura pas, dhe këto efekte janë shumë të rrënjosura biologjikisht”, thotë Dr. Gordon.

Dr. Gordon i bën pacientët të flasin për ngjarjet e 6 janarit. Ai u thotë të shkundin trupin dhe u mëson teknika të frymëmarrjes për të pakësuar disa nga simptomat biologjike.

“Merrni frymë thellë dhe ngadalë. Lëreni barkun të relaksohet për disa minuta. Mendimet do të vijnë dhe do të shkojnë. Lërini të shkojnë”, këshillon Dr. Gordoni.

Për të ardhmen, Dr. Gordoni thotë se Kongresi duhet të përqafojë një kulturë shërimi dhe autenticiteti.

“Ajo çfarë ndodh është se njerëzit shtiren, dhe kemi tashmë mjaftueshëm shtirje në shoqërinë tonë dhe në Kongres. Ndërkohë që nuk është e nevojshme të shtiremi sikur jemi të paprekshëm, pasi askush prej nesh nuk është i paprekshëm”, thotë Dr. Gordon.

Diçka jo e lehtë për politikanët që mendojnë se duhet të transmetojnë forcë gjatë gjithë kohës.

Megjithatë, Ligjvënësi Kildee është treguar i hapur për vështirësitë e tij.

“Është e pranueshme, nëse jeni anëtar i Kongresit, apo oficer policie, apo gjithkush tjetër – në veçanti nëse jeni mashkull – është e pranueshme të thoni se jeni një qenie njerëzore”, thotë Ligjvënësi Kildee.

Sidomos, kur jeta po ju rrezikohet...

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG