Lidhje

Ligjvënësit kritikojnë ndryshimet e bëra nga administrata Trump në USAGM


The Voice of America building, Monday, June 15, 2020, in Washington.

Ligjvënësit amerikanë nga të dyja partitë shprehën të enjten shqetësimin se Zëri i Amerikës dhe transmetuesit e tjerë të financuar nga SHBA rrezikojnë të humbin besueshmërinë tek audiencat e huaja si rrjedhojë e veprimeve të shefit të ri ekzekutiv, Michael Pack.

Ligjvënësit kritikojnë ndryshimet tek transmetuesit e financuar nga qeveria amerikane
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:26 0:00

Zoti Pack, i emëruari i parë presidencial në një post të ri të krijuar nga Kongresi për të thjeshtuar dhe modernizuar operacionet e transmetimit të financuara nga SHBA, është përballur me kritika nga të dyja palët për veprimet e tij që nga marrja e detyrës në qershor.

Michael Pack
Michael Pack

Seanca dëgjimore e së enjtes ishte hera e parë që ligjvënësit patën mundësinë të shqyrtojnë publikisht ndryshimet e bëra nga zoti Pack në Agjencinë e SHBA për Median Globale (USAGM), agjencia që mbikëqyr Zërin e Amerikës, Radion Azia e Lirë dhe transmetuesit e tjerë të financuar nga SHBA.

Zoti Pack tha se kishte një angazhim tjetër të planifikuar dhe nuk mund të merrte pjesë, pavarësisht kërkesës për t’u paraqitur nga Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Dhomës së Përfaqësuesve, Eliot Engel, demokrat i Nju Jorkut.

"Ai ka treguar mungesë respekti të jashtëzakonshëm për komisionin tonë dhe rolin e komisionit si mbikëqyrës i USAGM (Agjencisë Amerikane për Median Globale). Ai është njeriu i gabuar për këtë post dhe duhet të japë dorëheqjen. Nëse nuk e bën këtë, presidenti duhet ta shkarkojë," tha zoti Engel.

Një audiencë prej 350 milionësh

Buxheti vjetor i USAGM prej rreth 800 milion dollarësh financon programet e lajmeve që arrijnë çdo javë tek rreth 350 milion njerëz në 62 gjuhë.

Ligjvënësi republikan i Teksasit Michael McCaul, numri dy i komisionit, tha se vendimi i zotit Pack për të mos marrë pjesë "injoron vullnetin e Kongresit".

Zoti McCaul veçoi si veçanërisht të rrezikshëm vendimin e USAGM për të ngrirë 18 milion dollarë për Fondin e Teknologjisë së Hapur (OTF).

“Unë besoj se veprimet e tij dëmtuan mbështetjen gjatë kulmit të trazirave në Hong Kong. Dhe ata po vazhdojnë ta bëjnë këtë sot në Bjellorusi. Mungesa tragjike e mbështetjes për lëvizjet e lirisë dhe demokracisë është gjithashtu për të ardhur keq," tha zoti McCaul të enjten.

Që kur arriti në USAGM, zoti Pack ka pushuar drejtuesit e Radios Evropa e Lirë / Radio Liria, Radio Azia e Lirë dhe Rrjeti i Transmetimit të Lindjes së Mesme; u përpoq të zëvendësonte bordin e Fondit të Teknologjisë së Hapur, një grup që përdor grante federale për të promovuar teknologjitë e lirisë së internetit; dhe nuk ka rinovuar vizat J-1 për gazetarët e huaj.

Rishikimi i vizave

USAGM njoftoi në fillim të korrikut një rishikim të procesit të rinovimit të vizave J-1, gjë që rezultoi në skadimin e lejeve të punës për disa gazetarë të huaj që punojnë në redaksitë e gjuhëve të Zërit të Amerikës. Të paktën pesë prej tyre janë larguar nga Shtetet e Bashkuara.

Dëshmitarët në seancën e së enjtes përfshinin zyrtarin kryesor financiar të USAGM Grant Turner, të vendosur në pushim administrativ muajin e kaluar; ish-drejtoreshën e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett, e cila dha dorëheqjen dy ditë para ardhjes së zotit Pack; ish presidentin e Radios Evropa e Lirë / Radio Liria, Jamie Fly, i cili u shkarkua nga zoti Pack; kryetaren e bordit të drejtorëve të OTF Karen Kornbluh; dhe ish-ambasadorin Ryan Crocker, anëtar i bordit të OTF.

Ata dëshmuan se si ndryshimet e vëna në jetë që nga qershori ndikuan në aftësinë funksionuese të rrjeteve të transmetimit dhe rrezikuan murin editorial që mbron gazetarët e agjencisë nga ndërhyrjet politike në raportimin e tyre.

Ryan Crocker
Ryan Crocker

"Unë jam shumë i shqetësuar se të çarat në murin editorial thjesht do të prishin krejtësisht imazhin e USAGM", tha ambasadori Crocker, i cili ka shërbyer si diplomat i lartë i SHBA në Afganistan, Irak, Pakistan, Siri, Kuvajt dhe Liban. “Reputacioni ynë për të thënë të vërtetën ka qenë një element thelbësor i fuqisë sonë si vend. Tani, ai është në rrezik, duke vënë në rrezik jo vetëm vlerat tona kombëtare, por edhe sigurinë tonë kombëtare", tha ai.

Dëshmitarët thanë se shkeljet e dukshme të murit ndarës përfshijnë kërkesën për të postuar editoriale në faqet e entiteteve të ndryshme të agjencisë; përpjekjet e USAGM për të marrë pjesë në takimet editoriale për mbulimin e zgjedhjeve në SHBA; transferimin e zotit Steven Springer, redaktor i Zërit të Amerikës për standardet; pushime masive mes krerëve të agjencive; mos-rinovimin e vizave J-1; dhe deklaratat e zotit Pack në intervistat në radio se agjencia do të ishte "një vend i përsosur për të infiltruar një spiun".

Ligjvënësit e të dyja partive dhe dëshmitarët thanë se komente të tilla mund të rrezikojnë gazetarët e agjencisë.

'Tepër e rrezikshme'

"Është tepër e rrezikshme që kreu i USAGM të fillojë në thelb të shkruajë një deklaratë për shtyp, e cila të mund të modifikohet dhe të përdoret javën tjetër nga Kremlini për gazetarët e USAGM," tha zoti Fly.

Edhe zoti Turner ngriti shqetësime në lidhje me dëmtimin e besueshmërisë së USAGM, duke i thënë komisionit: "Asgjë që kam parë në 17 vitet e mia atje nuk i afrohet madje as keqmenaxhimit më të rëndë, abuzimit të autoritetit, shkeljeve të ligjit që kanë ndodhur që kur Michael Pack mori rolin e kreut ekzekutiv në USAGM.”

Zoti Pack, ish producent i pavarur i filmit dhe televizionit dhe kreu i një fondacioni konservator, ka mbrojtur veprimet e tij në intervista dhe në komunikime me stafin e USAGM, duke thënë se ai dëshiron të mbrojë pavarësinë editoriale të agjencisë dhe ta bëjë atë më efektive në arritjen e misionit të saj.

Ai ka thënë gjithashtu se auditimet qeveritare zbuluan probleme serioze të sigurisë gjatë gjithë viteve që u lanë pa u trajtuar nga udhëheqësit e mëparshëm të agjencisë.

Në seancën e tij të konfirmimit shtatorin e kaluar, Michael Pack u zotua të mbështesë ligjin që mandaton pavarësinë editoriale të Zërit të Amerikës.

"E gjithë agjencia bazohet mbi bindjen se reporterët janë të pavarur, se asnjë ndikim politik nuk u tregon atyre se si t’i raportojnë lajmet," i tha zoti Pack Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.

Procesi dy-vjeçar i konfirmimit të tij në Senat përfundoi në një betejë partiake, pasi demokratët aludonin se ai kishte keqpërdorur fonde për kompaninë e tij të prodhimit të dokumentarëve. Sidoqoftë, republikanët e Senatit e vlerësuan përvojën e tij si një kineast dhe ish-ekzekutiv i medias.

Ligjvënësi Scott Perry
Ligjvënësi Scott Perry

'Procedura të dobëta të verifikimit'

Të enjten, ligjvënësi republikan Scott Perry i Pensilvanisë mbrojti veprimet e zotit Pack, duke treguar një raport të lëshuar së fundmi nga Zyra e Menaxhimit të Personelit ku thuhej se 40 për qind e stafit të agjencisë ishte verifikuar në mënyrë të parregullt gjatë 10 viteve të fundit.

"Reformat e ndërmarra nga zoti Pack janë vëzhguar me mjaft imtësi në publik, ashtu siç edhe duhej," tha zoti Perry. "Por procedurat e dobëta të verifikimit në USAGM gjatë dekadave të fundit vazhdojnë të kërcënojnë sigurinë kombëtare të SHBA dhe është krejtësisht faji i atyre që e keqmenaxhuan procesin."

Zoti Perry kritikoi gjithashtu praktikat e OTF, të cilat ai tha se paraqisnin rreziqe të sigurisë dhe një keqpërdorim të fondeve qeveritare.

Zonja Kornbluh iu kundërvu komenteve të ligjvënësit Perry.

"Unë besoj se kongresmeni është keqinformuar," tha ajo. "Pretendimet për sigurinë thjesht nuk janë të vërteta."

Zonja Kornbluh tha se ngrirja e fondeve kishte bërë që OTF të ndalte 49 nga 60 programet e saj për lirinë e internetit.

Disa anëtarë të komisionit u bënë pyetje dëshmitarëve për ndikimin e komenteve të zotit Pack për spiunë brenda agjencisë.

"Zoti Pack, pa prova, ka bërë aludime shpifëse, që nëse këta gazetarë do të shkojnë të kërkojnë punë diku tjetër në një vend tjetër, kjo mund të kërcënojë jo vetëm jetesën e tyre, por edhe sigurinë e tyre," tha ligjvënësi demokrat Joaquin Castro i Teksasit.

Kush do t’u besojë atyre?

“Kur dikush nga qeveria e Shteteve të Bashkuara etiketon një gazetar si spiun, kush do t’u besojë atyre në një vend tjetër? Kush do t'i punësojë ata diku tjetër? Ky njeri ka vepruar me pamaturi të madhe, dhe vetëm për këtë ai duhet të shkarkohet," tha ligjvënësi Castro.

Zoti Fly bëri rekomandime për mënyrat e frenimit të kompetencave të shefit ekzekutiv, duke sugjeruar që Kongresi të miratojë një legjislacion të ri për transmetimet ndërkombëtare, për të sqaruar rolet e rrjeteve dhe mënyrën më të mirë se si mund t’u shpjegohet audiencave politika e jashtme e SHBA.

Ligjvënësit u zotuan të vazhdojnë mbikëqyrjen e transmetimeve ndërkombëtare të SHBA edhe pse Kongresi po merret aktualisht me një mori çështjesh në lidhje me zgjedhjet e ardhshme dhe pandeminë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG