Lidhje

Prespektiva e paqes në Lindjen e Mesme


Negociatat për një paqe të qëndrueshme mes Izraelit dhe palestinezëve kanë ngecur për më shumë se dy vjet. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Andre de Nesnera bisedoi me tre ish-zyrtarëve të lartë të qeverisë amerikane rreth perspektivave për të ringjallur këtë proces.

Çështjet kyçe dihen fare mirë. Ato janë përkufizimi gjeografik i një shteti të ri palestinez, statusi i Jerusalemit, kthimi i refugjatëve palestinezë, vendbanimet izraelite në territoret e pushtuara dhe masat e sigurisë.

Bisedimet e paqes u ndërprenë në shtator të vitit 2010, kur Izraeli rifilloi ndërtimin e vendbanimeve pas skadimit të një moratoriumi. Zyrtarët palestinezë thonë se nuk do të rinisnin bisedimet derisa ndërtimi i vendbanimeve të ndalet. Izraeli refuzon të ndalë ndërtimin e vendbanimeve, madje po bën thirrje për të filluar përsëri bisedimet pa kushte.

Ekspertët thonë se një pengesë për procesin e paqes janë përçarjet në udhëheqjen palestineze mes Bregut Perëndimor dhe Rripit të Gazës. Bregu Perëndimor drejtohet nga Autoriteti Palestinez i Mahmud Abasit, ndërsa Rripi i Gazës është nën kontrollin e organizatës militante të Hamasit, i cili konsiderohet grup terrorist si nga Izraeli edhe nga Departamenti amerikan i Shtetit.

Ish këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare Brent Scowcroft, i cili ka shërbyer nën administratën e presidentëve Gerald Ford dhe George Herbert Walker Bush, thotë se palestinezët duhet të tregojnë një front të bashkuar.

“Nëse Hamasi nuk nxitet të bashkohet me Fatahun dhe të angazhohet në procesin e paqes, atëherë mund të hiqet dorë nga zgjidhja me dy shtete dhe kjo do të ishte katastrofë për të gjithë. Nocioni se zgjidhja me dy shtete do të jetë gjithnjë e disponueshme, mund të jetë i gabuar”.

Nëntorin e kaluar, Hamasi dhe Izraeli u angazhuan në luftime, që zgjatën për një javë. Grupi militant bombardoi Izraelin me qindra raketa. Izraeli u përgjigj me sulme ajrore në Gaza. Luftimet më në fund u ndalën pasi Egjipti ndërmjetësoi një armëpushim. John Bolton, ish ambassador i Shteteve të Bashkuara në OKB në administratën e presidentit George W. Bush, thotë se konflikti i solli përfitime Hamasit dhe Iranit.

“Hamasi aktualisht doli nga armëpushimi në një pozitë më të fuqishme – ata sfiduan Izraelin dhe mbijetuan për ta treguar atë. Edhe Irani doli në pozita më të forta. Iranianët demonstruan atë që shumë prisnin apo që kishin frikë se mund të siguronin raketa për Hamasin në Rripin e Gazës, se mund të arrinin qendrat e populluara izraelite si Jeruzalemi dhe Tel Avivi”.

Dhe lidhur me Fatahun, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së i dha presidentit nëntorin e kaluar një fitore diplomatike ndërkombëtare duke njohur Palestinën si një shtet vëzhgues joanëtar – të njëjtin status me atë të Vatikanit.

Ekspertët nuk janë të një mendimi nëse fitorja diplomatike e Fatahut dhe pozicioni më dominues i Hamasit do të kenë ndonjë efekt në procesin e bllokuar të paqes. Ata thonë se një gjë është e sigurtë: Shtetet e Bashkuara duhet të luajnë një rol më aktiv në avancimin e procesit.

Por William Cohen, ish sekretar amerikan i mbrojtjes në administraten e presidentit Clinton, thotë se Shtetet e Bashkuara kanë një problem.

“Shtetet e Bashkuara nuk janë parë si një ndërmjetës asnjanës dhe kjo për shkak të angazhimit të fuqishëm amerikan për Izraelin. Mendoj se shumë palestinezë e shohin Amerikën si një ndërmjetës jo të drejtë dhe të ndershëm”.

Megjithatë zoti Cohen thotë se Shtetet e Bashkuara janë i vetmi vend me kapacitetin e një “ndërmjetësuesi të ndershëm.”

“Ne jemi të vetmit pasi përsa i përket Izraelit ata kanë besim të plotë tek Shtetet e Bashkuara gjë që është e justikuar. Mendoj se ne duhet të vazhdojmë t’i zgjasim dorën palestinezëve duke u thënë se jemi të angazhuar të ndihmojmë për zgjidhjen me dy shtete. Në se ne nuk do të synojmë të kryejmë këtë rol, atëherë nuk do të ishim në gjendje të ndihmonim për arritjen e negociatave të suksesshme".

Disa ekspertë besojnë se presidenti Barack Obama do të ketë një mundësi të veçantë gjatë mandatit të tij të dytë në detyrë për të rigjallëruar procesin e paqes në Lindjen e Mesme. Por analistët thonë se çdo veprim në këtë aspekt do të presë deri pas zgjedhjeve parlamentare izraelite të planifikuara për më 22 janar.
XS
SM
MD
LG