Lidhje

Lirimi i Aung San Su Kisë u jep shkas festimeve por edhe paralajmërimeve


Lirimi i Aung San Su Kisë u jep shkas festimeve por edhe paralajmërimeve
Lirimi i Aung San Su Kisë u jep shkas festimeve por edhe paralajmërimeve

Lirimi i Aung San Su Kisë nga arresti shtëpiak në Birmani, të njohur ndryshme edhe si Mianmar, u dha shkas festimeve në gjithë botën të përkrahësve të aktivistes të njohur pro demokracisë. Megjithastë, përkrahësit e saj kanë vënë në dukje gjithashtu se e bija e udhëheqësit të pavarësisë së Birmanisë nga Britania e Madhe, i cili u vra me atentat, Aung San, është liruar edhe më parë, por shumë shpejt është vënë përsëri nën arrest. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Niko Kolombant na informon nga Uashingtoni.

Komuniteti birmanez në Francë si dhe përkrahësit e Aung San Su Kisë dolën menjëherë nëpër rrugë për të shprehur gëzimin e tyre. Mireille Boisson ishte mes protestuesve në Paris.

"Siç mund ta merrni me mend, tani është një moment gëzimi. Është një ngjarje e gëzuar për të gjithë ne që kemi luftuar kaq gjatë për të, për popullin e Birmanisë që e ka mbështetur atë, ne jemi të mbushur me gëzim. Por në të njejtën kohë ne jemi edhe shumë të kujdesëshëm. Me këtë dua të them se për momentin jemi shumë të gëzuar dhe duam që ajo të jetë e sigurt, prandaj u kërkojmë autoriteteve birmaneze të garantojnë sigurinë e saj”.

Në Uashington, një avokat që është përpjekur të ndihmojë disa nga qindra veprimtarët birmanezë që janë në burg, Jared Gensler, u shpreh me rezerva për lirimin e Aung San Su Kisë.

“Ajo është liruar edhe tri herë të tjra më parë dhe asgjë nuk ka ndryshuar në vend. Në fakt, vitet e fundit, nuk ka pasur asnjë shenjë nga regjimi ushtarak i vendit se synon të bëjë ndonjë kompromis, duke hyrë në bisedime me të”.

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton bëri një deklaratë në të cilën thotë se ajo u bashkohet miliarda njerëzve anë e mbanë botës, të cilët përshëndesin lirimin e laureates së Çmimit Nobel të Paqes të vitit 1991.

Në deklaratë u bëhet thirrje gjithashtu udhëheqësve ushtarakë të Birmanisë të mos e kushtëzojnë lirimin e saj, në mënyrë që ajo të udhëtojë e të marrë pjesë pa kufizime në politikë.

65 vjeçarja Aung San Su Ki, e cila udhëhoqi Lidhjen Kombëtare për Demokraci në fitoren e shumicës së votave në zgjedhjet e vitit 1990 që u shpërfillën, ka qënë nën arrest shtëpie për pjesën më të madhe të 20 vjetëve të fundit.

Lirimi i Aung San Su Kisë dje nga arresti shtëpiak në Rangun vjen pas zgjedhjeve të nëntorit, në të cilat partia e Bashkimit Sindikalist dhe Zhvillimit, e mbështetur nga ushtria fitoi shumicën dërmuese të votave, por partitë e opozitës që vendosën të merrnin pjesë në zgjedhje arritën të fitonin disa vende në parlament dhe në asambletë lokale.

XS
SM
MD
LG