Lidhje

Lituania refuzon kërkesën e Rusisë; nuk arreston bashkëpunëtorin e Navalny-it


Leonid Volkov

Lituania ka refuzuar urdhrat e lëshuar të mërkurën nga një gjykatë në Moskë që bën thirrje për arrestimin e Leonid Volkovit, një aleat i mërguar i liderit rus të opozitës Alexey Navalny.

Urdhrat e gjykatës, të dërguar përmes Interpolit, e akuzojnë zotin Volkov për inkurajimin e të miturve për të marrë pjesë në tubime të paautorizuara, veprim që mund të dënohet me deri tre vjet burg në Rusi.

"Përdorimi i mjeteve ndërkombëtare për ndjekje penale të motivuar politikisht është një praktikë e gabuar", tha Ministrja e Brendshme lituaneze Agne Bilotaite, duke iu referuar Interpol-it, rrjetit policor ndërkombëtar të financuar nga fonde qeveritare që koordinon operacionet policore ndërkufitare në 194 shtete anëtare.

Urdhër-arresti për zotin Volkov "ngre dyshime serioze në lidhje me anëtarësimin e Rusisë në këto organizata", shtoi zonja Bilotaite.

Gjykata ruse, e cila tha se zoti Volkov do të mbahej në Rusi për dy muaj nëse do të ekstradohej, tha se urdhri u lëshua nën Komonuelthin e Shteteve të Pavarura, një organizatë e ish-republikave sovjetike të cilës nuk i përket Lituania.

Urdhri i arrestimit vjen pas rritjes së demonstratave që kërkojnë lirimin e liderit të opozitës ruse Navalny, i cili është burgosur që nga 17 janari.

Në një zhvillim të veçantë të mërkurën, gruaja e Navalny-it, Yulia Navalnaya, e cila u arrestua kohët e fundit për pjesëmarrjen në tubime pa leje në mbështetje të burrit të saj të burgosur, u largua nga Rusia për në Gjermani, sipas një burimi të cituar nga Interfax.

Zoti Volkov, një strateg i cili menaxhon selinë rajonale të zotit Navalny, u arratis nga Rusia në 2019 kur autoritetet hapën një hetim penal për pastrim parash nga Fondacioni Kundër Korrupsionit i zotit Navalny. Grupi i zotit Navalny e ka quajtur vazhdimisht këtë një hetim kriminal, më i fundit ndër sulmet e shumtë të motivuar politikisht.

Nga selia e tij në Lituani, zoti Volkov ka qenë duke organizuar protesta dhe duke kërkuar lirimin e zotit Navalny, me protestën më të fundit të planifikuar për këtë të dielë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG