Lidhje

Llalla: "Po hetojmë kandidatë për vepra penale".


Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë ka nisur hetime mbi të dhënat kriminale, që janë gjetur për disa nga kandidatët e bashkive në zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Adriatik Llalla, deklaroi se po ndiqet me kujdes çdo informacion kriminal për kandidatët, që diplomatët perëndimorë përmendën në deklaratat e tyre disa ditë më parë.

“Prokuroria ka në proces verifikimi dhe hetimi disa raste kandidatësh të kallëzuar nga patitë politike apo institucione dhe individë të ndryshëm. Këto kallzime janë ende në procesin e hetimit. Janë evidentuar edhe raste të ndonjë kandidati, që është i përfshirë në kryerjen e veprave penale” - tha prokurori i përgjithshëm i Shqipërisë.

Zoti Llalla i bëri këto komente pasi nënshkroi sot për herë të parë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve një marrëveshje bashkëpunimi për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Ai tha se tashmë prokuroria ka një traditë të vëzhgimit të proceseve zgjedhore, të cilat janë të rëndësishme për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Hetuesit, tha prokurori, do të japin ndihmesën e tyre që zgjedhjet vendore të kryhen sa më të rregullta, duke parandaluar çdo përpjekje për të dëmtuar procesin zgjedhor.

Përfaqësues të diplomacisë amerikane dhe europiane deklaruan disa javë më parë se kishin mbledhur të dhëna kriminale për disa kandidatë të zgjedhjeve vendore dhe ua dorëzuan partive. Ata shprehën besimin se institucionet shqiptare do t'i largonin nga gara zgjedhore kandidatët me të dhëna kriminale, por kjo nuk ndodhi.

XS
SM
MD
LG