Lidhje

LSI mbron komisionerin që e mori si maxhorancë


PD thotë se opozita kontrollon gjithë komisionet 4 me 3 dhe 5 me 2, dhe kjo është hera e parë në botë që zgjedhjet nuk organizohen nga qeveria.

Partia Lëvizja Socialiste për Integrim mbrojti dje komisionerin e saj në KQZ, duke e quajtur të paligjshme dhe shkelje flagrante të Kodit Zgjedhor nismën e shumicës për ta zëvendësuar atë, meqë LSI kaloi në opozitë pas 4 vjetësh në koalicionin qeveritar.
Partia, e cila sapo kapërceu nga postet ministrore në radhët e opozitës socialiste, u shkroi një letër ambasadorëve të SHBA, BE dhe OSBE në Tiranë se përpjekjet për të hequr antarin e LSI-së nga KQZ-ja “e kanë bërë situatën jashtëzakonisht kritike dhe mund të minojë legjitimitetin dhe integritetin e gjithë procesit zgjedhor”.

LSI u kërkoi këtyre ambasadorëve “që të angazhohen menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës dhe për të ruajtur standartet e zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit”. Letra thekson se ai është një antar i propozuar nga LSI, por ai aty kryen detyra shtetërore dhe sipas nenit 14 të Kodit Zgjedhor mban një mandat 6-vjeçar, ndërsa rastet kur mandati ndërpritet lidhen me pensionin, me dorëheqjen apo me detaje të përgjithshme.

Komisioni parlamentar i ligjeve nisi dje procesin e komisonerit opozitar, ndërsa LSI thotë se sipas ligjit, nismat kundër një antari të saj duhet t’i marrë vetë KQZ-ja dhe e vlerëson këtë si një lëvizje destabilizuese të PD-së, që synon shumicën në administrimin e zgjedhjeve.

Sapo LSI kaloi në opozitë, sipas PD-së komisioneri i propozuar prej saj duhet ndryshuar që të sigurohet balanca e KQZ, sepse mbi barazpeshimin politik është ndërtuar e gjithë administrata zgjedhore”. Me votat e djathta komisioni i ligjeve vendosi lirimin e anëtarit të propozuar nga LSI, e cila deri dje kishte të drejtën e këtij propozimi, si antare e koalicionit qeveritar.

Me kalimin e LSI-së në opozitë raportet u përmbysën. KQZ kontrollohet 4 me 3 nga komisionerët opozitarë, po ashtu edhe gjithë komisionet zonale kontrollohen 4 me 3 dhe disa 5 me 2 nga opozita. Por shumica demokrate beson se lidhja e re PS-LSI po përpiqet në këtë mënyrë të manipulojë procesin zgjedhor, dhe për paradoks, përgjegjësia e mbarëvajtjes së zgjedhjeve i mbetet qeverisë, kur të gjithë votat dhe vulat e zgjedhjeve i ka opozita. Sipas PD-së, ky do të ishte rasti i parë në botë që zgjedhjet i organizon opozita, se kjo paligjshmëri e sjellë nga LSI shkatërron përgatitjen e zgjedhjeve, votimin, numërimin dhe shpalljen e rezultateve. Prishja e kësaj barazpeshe - shton më tej PD - përmbys sistemit ligjor të menaxhimit të zgjedhjeve dhe paralajmëron manipulimin nga opozita” - i shkroi PD parlamentit.

Debatet në komisionin parlamentar të ligjeve ishin mjaft të ashpra. Socialistët folën për një veprim antiligjor dhe goditje të rëndë për standardet demokratike. Shumica foli për nevojën e balancimit të komisioneve zgjedhore dhe miratoi dy kandidatura të propozuara nga PR, të cilat pritet të votohen sot në seancën plenare të parlamentit.
XS
SM
MD
LG