Lidhje

Lufta kundër drogës në Meksikë


Qeveria e Meksikës po thotë se ka arritur një fitore të rëndësishme në luftën kundër drogave të paligjshme dhe bandave të dhunshme kriminale, pasi marinsit meksikanë vranë këto dite udhëheqësin e bandës së njohur si “Los Zetas”. Por korrespondenti i Zërit të Amerikës në Huston të Texasit thotë se lufta e dhunshme kundër drogës në Meksikë është ende larg përfundimit.

Autoritetet e meksikane kanë publikuar fotografi në internet të trupit të një burri për të cilin thonë se ishte udhëheqësi i bandës më brutale të vendit, Los Zetas. Marinsat meksikanë, të cilët kryen operacionin që çoi në vrasjen e tij, thonë se shenjat e grishtërinjve dhe analizat e kriminalistikës provojnë se personi që ata vranë ishte 37-vjeçari Heriberto Lazcano, një ish-ushtar i cili e udhëhoqi bandën dhe që është i njohur për taktikat e tij të stilit ushtarak dhe për dhunën e tmerrshme.

Vrasja e kreut të Zetës ishte një fitore madhore për presidentin Felipe Calderon, ndërsa ai përgatitet të largohet nga posti në dhjetor. Analistët thonë se lufta kundër kontrabandistëve që ai filloi kundër bandave kriminale, pasi erdhi në pushtet 6 vjet më parë, është veprimi më i rëndësishëm i presidencës së tij. Më tepër se 60 mijë vetë kanë vdekur gjatë dhunës që lidhet me luftën kundër drogës. Në këtë luftë, ushtarë dhe forca policore meksikane përleshen me bandat e drogës.

Një nga ekspertët kryesorë amerikanë për Meksikën, George Grayson i kolegjit William & Mary në Virginia, ka shkruar shumë për luftën kundër drogës. Grayson botoi një libër me temën e luftës kundër drogës. Ai thotë se vdekja e Lazcanos mund të shkaktojë dhunë të mëtejshme, ndërsa udhëheqësit e rinj marrin drejtimin dhe luftëtarë të rinj konkurojnë për të marrë pozita drejtuese në organizatën e strukturuar mirë.

“Problemi është se udhëheqësit e rinj janë me më pak eksperiencë, ka më tepër mundësi të përdorin droga dhe ata duan ta provojnë veten si shumë të fortë.”


Grayson thotë se veç qeverisë, fituesi tjetër i madh është Joaquin “El Chapo” Guzman, udhëheqësi i arratisur i grupit më të madh dhe më të fuqishëm të trafikut të drogës, Sinaloa Cartel. Guzma e ka mbështetur kartelin e Gjirit në luftën kundër grupit Los Zetas. Kohët e fundit ai pati sukses në dobësimin e krahut të organizatës që merret me kontrollin e një prej korridoreve më të rëndësishme të trafikimit, pranë qytetit meksikan Nuevo Laredo, në anën tjetër të kufirt nga Laredo e Texasit.

“El Chapo, apo kryetari, doli nga kjo betejë fitues dhe unë dyshoj se ai do të donte të merrte kontrollin e Nuevo Laredos.”

Analisti George Grayson thotë se pret të shohë më tepër dhunë në atë rajon dhe në qytetin pranë të Monterrey-it, që ka bërë disa përmirësime në sigurinë publike gjatë muajve të fundit, pasi përjetoi një valë vrasjesh, rrëmbimesh dhe sulmesh.

Analisti thotë se vrasja e Lazcanos tregon për një kthesë në taktikat që i dhanë rezultat qeverisë meksikane. Ai thotë se presidenti Calderon e filloi luftën kundër trafikantëve të drogës me dislokimin masiv të njësive të ushtrisë, por kohët e fundit është mbështetur tek forcat detare dhe marinsat për kryerjen e goditjeve me precizion ndaj udhëheqësve të bandave të drogës.

Presidenti i ri meksikan Enrique Pena Nieto që e merr drejtimin e vendit në dhjetor, thotë se ai i mbështet këto taktika. Analisti Grayson thotë se zoti Nieto e kupton se meksikanët e zakonshëm janë më tepër të shqetësuar për sigurinë e publikut, se sa për tregtinë e dëmshme dhe të paligjshme të drogës.

Veç vrasjes së udhëheqësit të grupit Zetas, Heriberto Lazcano, forcat qeveritare këtë javë kapën edhe Salvador Alfonso Martinez Escobedon, që njihet me nofkën “Ketri”. Ai mendohet se ka vrarë 300 njerëz, mes tyre vrasja masive e vitit 2010 e 72 imigrantëve në shtetin verior të Meksikës, Tamaulipas dhe për vrasjen në të njëjtin vit të një shtetasi amerikan që kishte shkuar në Meksikë për rrëshqitje mbi ujë në liqenin Falcon, në kufirin me Laredon e Teksasit.
XS
SM
MD
LG