Lidhje

A mund të fitohet lufta kundër drogës?


Rreth 500 mijë amerikanë janë të dënuar me burgim nën akuzat për trafikim droge. Kjo shifër përfshin persona jo të dhunshëm, si dhe shkelës për herë të parë të ligjit, të dënuar në bazë të legjislacionit të rreptë e të detyrueshëm, i miratuar gjatë luftës së gjatë kundër trafikut të narkotikëve. Kjo luftë po zhvillohet gjithashtu edhe në shtete të tjera, duke shkaktuar viktima të shumta si dhe shpenzime të mëdha, por disa udheheqës botërorë tani besojnë se pa ndryshuar strategji nuk mund të fitohet lufta kundër trafikut të drogës.

Anthony Papa kaloi 12 vjet në burg pasi u përpoq të dorëzonte 125 gramë kokainë, hera e tij e parë dhe e vetme. Fitimi i tij do të kishte qenë 500 dollarë. Edhe pse ai zbuloi talentin e tij për artin në qeli, të tjerët në jetën e tij vuajtën.

"Isha i martuar dhe kisha një vajzë shtatë vjeçare. Atyre iu shkatërrua jeta për shkak të dënimit tim, pasi pasojat nuk ndalen brenda mureve të burgut."

Anthony thotë se mbajtja në qeli e trafikantëve të drogës u kushton taksapaguesve miliarda dollarë.

"Ato para mund të shpenzohen për mirëmbajtjen e shkollave, për të ushqyer fëmijë në nevojë, apo duke ndihmuar komunitete të varfra."

Droga mund të jetë vdekjeprurëse - si për ata që e përdorin, ashtu dhe për ata që luftojnë trafikimin e saj. Në Meksikë, ka patur të paktën 47 mijë të vrarë si pasojë e fenomenit, gjatë gjashtë viteve të fundit. Dhuna e lidhur me drogën është gjithashtu e theksuar në Brazil dhe Kolumbi.

Ish-presidentët amerikanë Xhimi Karter dhe Bill Klinton, administratat e të cilëve kanë financuar luftën kundër trafikut të drogës si brenda dhe jashtë vendit, tani thonë se kjo qasje nuk është e përshtatshme.

"Mund të kishte lufte e të vrarë edhe rreth cigareve, nëse shitja e duhanit do të konsiderohej krim. Prandaj, i legalizuam. Nëse përpiqemi të gjejmë vetëm zgjidhje policore ose ushtarake për problemin e drogës, shumë njerëz vdesin dhe problemi nuk zgjidhet."

Ish presidentët e Brazilit dhe Zvicrës, Fernando Cardoso dhe Ruth Dreifuss, si dhe Presidenti kolumbian Juan Manuel Santos duan të gjejnë mënyra të ndryshme për të zgjidhur problemin global të drogës, si për shembull rregullimin e tregtisë së tyre.

"Mendoj se një qasje e re, të paktën duke u përpjekur të hapemi pak për të thyer tabunë, është ajo që bota duhet të bëjë. Ka shumë alternativa, duke përfshirë mundësinë e legalizimit të drogës."

Një dokumentar i titulluar “Thyerja e tabusë”, i cili fokusohet në dështimet e luftës kundër drogës, ka filluar të shfaqet kohët e fundit në Nju Jork. Producenti i tij, Sam Branson, dënon trafikun e drogës, por jo përdoruesit e saj.

"Në vend që t’i vendosim nëpër burgje, ndoshta duhet t'i bëjmë që të konsultohen me doktorë. Ndoshta ata kanë nevojë për ndihmë. Shumë njerëz që marrin drogë nuk kryejnë ndonjë krim. Ata ndihen thjesht të humbur."

Por shumë njerëz nuk janë dakord me dekriminalizimin, si për arsye të zbatimit të ligjit, ashtu dhe për arsye mjekësore. Ish ligjvenësi republikan Jim Kolbe thotë se shumica e ligjvënësve amerikanë e kundërshtojnë legalizimin.

"Ne duam dënime më të ashpra për përdoruesit e drogës, dhe në veçanti për njerëzit që shesin dhe trafikojnë narkotikë. Ne duam të mbajmë në fuqi afatet e gjata të burgimeve si dhe gjobat që ekzistojnë."

Por Anthony Popa vëren se lloje drogash ilegale janë në dispozicion edhe brenda burgjeve dhe ngre pyetjen nëse trafiku i tyre mund të arrihet të kontrollohet në një shoqëri të lirë, nëse nuk mund të kontrollohet brenda institucioneve të dënimit.
XS
SM
MD
LG